Nuk po riktheheni dot në formë pas festave? Mjekja Albana Daka zbulon dietën që largon yndyrnat

Mjekja Albana Daka, gjatë rubrikës “Abc-ja e shëndetit” në emisionin e mëngjesit, ndau disa këshilla për të gjithë ata që kanë abuzuar me ushqimit gjatë festave dhe kanë marrë disa kilogramë më shumë. Gjatë bisedës me moderatorin Alban Musa, Dr. Albana theksoi se personat mbipeshë janë më të prirur për diabet, sëmundje kardiovaskulare dhe autoimune. Daka rekomandoi dietën detox për të pastruar trupin nga toksinat.

“Të parat janë problemet e tretjes. Një person që ka abuzuar në festa, ka fryrje pas ngrënies, alternime të jashtëqitjes. Mund të ketë vështirësi në daljen jashtë dhe sa më shumë ditë të qëndrojmë pa dalë jashtë, aq më shumë toksina që vijnë në zorrë, përthithen nga gjaku. Masat ushqimore thahen dhe bëhen më të forta dhe dalja jashtë është më i vështirë.

Në një person që ka abuzuar me ëmbëlsirat dhe me bulmetrat e proceduara, kemi një acarim të akneve apo dermanit atopik që fillon në zona të caktuara të lëkurës. Këto elemente na çojnë që të fillojmë një proces pastrimi, t’i lehtësojmë punë mëlçisë. Duhet të përdorim fruta, perime dhe fara. Duhet të përdorim sa më shumë lëngje. Te meshkujt duhen 3.5-3.7 litra ujë, çajra ndërsa te femrat duhen 2.5 deri në 2.7 litra.”, u shpreh Dr. Daka.

Sa duhet mbajtur një dietë detox?  “Dieta detox është një regjim hipokalorik për të rrëzuar masën dhjamore. Duhet ta ndjekin personat e shëndetshëm që nuk kanë sëmundje shoqëruese, jo te fëmijët dhe mosha e tretë. Është hipokalorik dhe ka përdorimin e perimeve, frutave, farave, lëngjeve me shumicë, mishin e bardhë si pulën dhe peshkun, eliminimi i bulmetrave dhe përdorimi i drithërave integral si tërshëra dhe drithërat e plota. Përdoret 3-4 javë.

Më pas, kalojmë në një regjim të shëndetshëm, normo kalorik, me prezencë të proteinave shtazore, me pulën, peshkun dhe mishin e kuq një herë në javë. Me sasi të moderuara të bulmetrave. Me aktivitet fizik dhe me suplemente që organizmit i duhen gjatë muajve të ftohtë. Një detox deri në katër javë duhet të jetë fillimi i një regjimi të shëndetshëm ushqimor që duhet të ndiqet më vonë.”, shtoi më tej Dr. Albana.

Mjekja thotë se përdorimi i laksativëve, medikamente që ndihmojnë jashtëqitjen, nëse përdoren për shumë kohë mund të ketë efekte anësore duke e bërë zorrën “dembele”. Sipas saj, duhet bërë ajo që quhet “fizioterapi e zorrës” për të larguar toksinat dhe mbeturinat ushqimore.

“Është një mënyrë e shëndetshme e pastrimit të zorrës. Bëhet me personat që kanë probleme me dalë jashtë, që kanë myk të zorrës dhe përdoret si metodë pastrimi kur në periudha të ndryshme, bëjmë një pastrim të zorrës ngaqë ka marrë toksina nga një regjim ushqimor jo i shëndetshëm.“, përfundoi mjekja.


Shtuar 17.01.2022 11:12