Zyrtari europian: Një gjykatë speciale për të dënuar krimet e Rusisë ka nevojë për mbështetje të plotë

Çdo gjykatë speciale për të gjykuar pushtimin rus të Ukrainës duhet të ketë mbështetje të mjaftueshme ndërkombëtare për të ndjekur penalisht liderët politikë dhe ushtarakë të Rusisë, tha zyrtari më i lartë i drejtësisë i Bashkimit Europian.

“Për sa i përket përgjegjësisë për krimin e agresionit në veçanti, aktualisht, liderët rusë nuk mund të shpallen përgjegjës përpara çdo juridiksioni ndërkombëtar”, tha Komisioneri Europian për Drejtësinë Didier Reynders.

Gjykata Penale Ndërkombëtare me bazë në Hagë ka kompetencat për të ndjekur penalisht krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin, por Reynders tha se nuk mund të jepte dënime për zyrtarët rusë.

Në fillim të kësaj jave, ministri i jashtëm i Gjermanisë bëri thirrje gjithashtu për krijimin e një gjykate ndërkombëtare.

“Fakti që krimi i agresionit, sipas definicionit, mund të kryhet vetëm nga lidershipi më i lartë politik dhe ushtarak, na sjell në çështjen e imuniteteve personale dhe funksionale”, tha Reynders në Parlamentin Europian të martën në mbrëmje.

“Një gjykatë e mundshme e ngritur për të ndjekur penalisht krimin e agresionit do të duhet … të ketë një karakter ndërkombëtar të mjaftueshëm për të hequr dorë nga imuniteti në një mënyrë legjitime dhe për të vepruar në emër të komunitetit ndërkombëtar”, tha ai. /albeu.com


Shtuar 18.01.2023 15:54