Zjarri në Fier, Çako: Djegie masive e pyjeve, por situata është nën kontroll

Drejtori i emergjencave civile Haki Çako, i shoqëruar nga prefekti i Qarkut Lafter Shehaj, ka zbritur në terren pas zjarrit të madh që përfshiu zonën e Krapsit ne Fier mesditën e sotme.

Në një prononcim për mediat, Çako pohoi se situata e zjarreve është një emergjence kombëtare ndërkohë që të gjitha strukturat janë në gatishmëri te plote teksa ka theksuar se fatmirësisht nuk ka patur dëme në njerëz. Ai theksoi se e kanë situatën në kontroll.

“Është dita e katërt që flakët kanë përfshirë këtë zonë pyjore. Deri ditën e djeshme e kishim pothuajse në kontroll të plotë duke angazhuar të gjitha forcat. Kemi angazhuar FA, ndërhyrjen nga ajri me helikopter, janë angazhuar edhe vullnetarë e struktura të tjera. Perfekti i qarkut ka qenë në krye. Nuk kemi pasur mundësi që ta izolojmë në kohë për të reduktuar këtë dëm masiv që është shkaktuar në pyje. S’kemi pasur dëme në njerëz. Janë dëmtuar dy banesa të braktisura. Jemi duke e vlerësuar situatën. Jemi të gjithë në këmbë. Është situatë që ka përfshirë të gjithë Europën, sot dita ka qenë kritike sa i takon temperaturave, kjo e ka favorizuar gjithë këtë zjarr. Theksojmë se e kemi në kontroll, vazhdon operacioni”, tha Çako.

Edhe Kapaj foli për mediat. Ai  tha se situata është shumë e vështirë dhe se rrezikohen banesa, ndërsa shtoi se era favorizon flakët.

Kapaj theksoi se janë vetëm 30 veta personel dhe se është vështirë për ta përballuar me kaq persona.

“Ky zjarr ka nisur ka disa orë, është shumë i vështirë për ta vënë në kontroll sepse era e fortë bën të mundur shpërndarjen e flakëve, i cili po djeg vreshta, ullinj, pemë frutore. Rrezikohen banesa. Është shumë e vështirë, terreni me shkurre të dendura, e kemi pasur të pamundur për ta vënë në kontroll. Jemi të njëjtat forca, është e pamundur sa do fuqi të ketë zjarrfikësi për ta përballur këtë situatë zjarri të vështirë. Janë disa fshatra që janë përfshirë nga zjarret. Jemi 30 personel operues për situata zjarri”, tha ai.


Shtuar 25.07.2023 21:06