Zjarret, Basha publikon foton: Rama i heq një helikopter ushtrisë, për ta përdorur për udhëtimet e tij

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka postuar në Facebook pamjet nga aksioni për shuarjen e zjarreve në vend me mjete rrethanore dhe një foto të kryeministrit Edi Rama në një helikopter të ushtrisë.

Basha shkruan se, Rama , i heq përballjes me zjarrin helikopterin e ushtrisë, për ta përdorur për udhëtimet e tij.

Më tej në postim, kreu demokrat shprehet se shteti ka dëshuar në përballimin e emergjencave.

“Mirënjohje për punonjësit e emergjencave civile dhe forcat e ushtrisë që po përballen me flakët përgjatë këtyre orëve të vështira. Pamjet që i shfaqin teksa luftojnë me mjete rrethanore janë sa pikëlluese po aq sa indinjuese kur shohim se në të njëjtën ditë, Edi Rama, i heq përballjes me zjarrin helikopterin e ushtrisë, për ta përdorur për udhëtimet e tij. Natyrisht, kërcënimi i zjarrit është i kudondodhur në rajon, por nuk ndodh askund që në një moment krize, mjetet e pakta të mpaken edhe më shumë për t’i shtuar privilegjet një individi. Kjo nuk është papërgjegjshmëri, por modeli me të cilin është keqqeverisur dhe varfëruar vendi. Prandaj nuk ka fonde dhe mjete për t’u përballur me emergjencat, qofshin zjarre apo tërmete, sepse shteti përdoret si instrument i një pakice që punon për vete, jo për qytetarët”, shkruan Basha./albeu.com


Shtuar 4.08.2021 08:24