Zhvatën 4 milion euro përmes mashtrimit kompjuterik, gjykata cakton masën e sigurisë për 4 të arrestuarit

Gjykata ka caktuar masën e sigurisë arresti me burg për 4 të arrestuarit që mashtronin njerëzit nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës dhe u zhvatnin paratë.

Masa e sigurisë “arrest me burg” është caktuar për Donald Anu, 34 vjeç, shtetas i Kamerunit, alias Ugochukëu  Emmanuel Emereibenu  39 vjeç, shtetas i Nigerisë; Marie Goufan, 31 vjeçe, shtetase Kamerune, banuese në Tiranë; Fatbardh Danja, 40 vjeç, banues në Tiranë; Xhentil Kupe, 54 vjeç, banues në Tiranë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një skeme të mashtrimit të pagesës nëpërmjet postës elektronike për mashtrimin e shtetasve nëpërmjet krijimit të subjekteve tregtare fiktive, duke ridrejtuar transaksionet bankare të subjekteve tregtare etj.

Kjo skemë quhet “Mashtrimi i pagesës nëpërmjet postës elektronike”, pasi këta shtetas, në bazë të dyshimeve të arsyeshme, së bashku me shtetas të tjerë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë kontrolluar komunikimet e postës elektronike midis klientëve dhe subjekteve tregtare. Pasi kanë ndërhyrë në sistemin kompjuterik ata kanë qëndruar të “fjetur” derisa kanë parë kërkesa specifike në lidhje me fonde ose pagesa të ndryshme. Në këtë moment, këta shtetas kanë bërë lëvizjet e tyre. Ata kanë kontaktuar klientin, duke marrë rolin e subjektit pritës të fondeve, duke i informuar ata se detajet bankare të kompanisë kanë ndryshuar dhe duke kërkuar që ata të transferojnë fondet në llogarinë e re. Ata duke qenë në brendësi të komunikimeve kanë qenë në gjendje të prodhojnë një mesazh të postës elektronike me pamje me pamje të njëjtë me të vërtetin.

Që kjo skemë të funksiononte, këta shtetas kishin hapur subjekte tregtare fiktive dhe në shumë raste me dokumente të falsifikuara të krijuara nëpërmjet pajisjeve elektronike, por dhe llogari bankare me dokumente të falsifikuara si administratorë subjektesh. Pasi vlerat monetare transferoheshin në llogaritë që këta shtetas kishin çelur ato tërhiqeshin dhe dërgoheshin në shtete të tjera.

Janë shpallur në kërkim 8 shtetas të huaj të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë shtetasja H. M., shtetase e Kamerunit, banuese në Tiranë./albeu.com


Shtuar 24.07.2021 14:15