Zhdukja e 3-vjeҫarit në Durrës/ Pas gjyshit, vihet në pranga dhe një tjetër i dyshuar

Para pesë ditësh në Durrës, është zhdukur një 3-vjeçar, ku sipas policisë së Durrësit, ende nuk asnjë gjurmë të tij.

Nëna e vogëlushit Ile Gjuni, 23-vjeç, ka denoncuar në polici se djali i saj i mitur ishte marrë nga gjyshërit, të cilët nuk ia kthyen më.

Bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë një vit më parë, si pasojë e një aksidenti rrugor dhe në këto kushte e reja ishte larguar në shtëpinë e prindërve të saj.

Por,sipas dëshmisë së 23-vjeçares,  gjyshërit e të miturit (prindërit nga i ati) e merrnin çdo javë nipin e tyre për ta takuar.

Sakaq, vijon intensivisht puna për gjetjen e 3-vjeçarit, i cili u mor nga gjyshërit dhe më pas u fsheh.

Burime zyrtare nga policia e Durrësit,  bëjnë me dije se pas gjyshit, në pranga ka rënë edhe kunati i tij, ndërsa vijojnë kontrollet në banesën e të afërmeve të tij.

Njoftimi i policisë:
Kërkimet dhe veprimet e thelluara hetimore për rastin, po kryhen nga Policia e Durrësit, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit. Në vijim të punës që po kryhet nga Policia, me qëllim gjetjen e 3-vjeçarit që i është marrë nënës së tij, më datë 13.04.2024, dhe që dyshohet se po mbahet në mënyrë të padrejtë, nga gjyshërit e tij, si dhe me qëllim individualizimin e përgjegjësisë penale për këtë rast, ju informojmë se:

Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kanë kryer kontrolle në disa banesa të të afërmve të gjyshes së 3-vjeçarit, në Kukës dhe në Has, ku kishte indicie se mund të mbahej i mituri.

Gjithashtu, është bërë ndalimi i shtetasve R. Gj., 60-vjeç, gjyshi i 3-vjeçarit, banues në Durrës dhe A. S., 49-vjeç, vëllai i gjyshes së 3-vjeçarit, banues në Has.

Më tej, janë shpallur në kërkim shtetasit B. Gj., 57-vjeçe, gjyshja e 3-vjeçarit, banuese në Durrës dhe F. S., 43-vjeç, vëllai tjetër i 57-vjeçares, banues në Has.

Policia e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon pa ndërprerje kërkimet për gjetjen e 3-vjeçarit, për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, për individualizimin e përgjegjësisë penale të këtyre 4 shtetasve, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjsisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.


Shtuar 18.04.2024 09:46