Kyçi gojën dhe nuk jep informacione për vendndodhjen e nipit, lihet në burg gjyshi i 3-vjeçarit

Rexhep Gjuni, gjyshi i 3-vjeçarit që rezulton i zhdukur prej shtatë ditësh është lënë në burg nga gjykata e Durrësit.

Gjykata ka caktuar të njëjtën masë sigurie edhe për kunatin e tij, Arben Selaj.

Gjatë seancës gjyqësore ata u panë të qetë brenda kafazit të qelqtë të gjykatës.

Deri më tani nuk ka asnjë gjurmë nga 3-vjeçari, ndërsa gjyshi nuk është treguar bashkëpunues, duke mos dhënë asnjë detaj se ku mund të jetë nipi.

Që prej 16 prillit kur nëna Ile Gjuni denoncoi zhdukjen e të birit, fotot e 3-vjeçarit janë dërguar në të gjitha pikat e kalimit kufitar, bëjnë me dije burime në policinë e Durrësit.

Policia i ka sinjalizuar të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor, ajror dhe detar, duke u dhënë të dhënat e fëmijës, familjarëve, si edhe veshjet e detaje të tjera që mund të çojnë në identifikimin e të miturit.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se deri më tani nuk është konfirmuar që djali të jetë larguar jashtë shtetit, por pasi ka dyshime që mund të kenë kaluar ilegalisht nga kufiri me Kosovën.

Dyshimet janë që gjyshja e tij Bahrije Gjuni është me djalin brenda Shqipërisë, duke jetuar në ndonjë shtëpi me qira. Gjithsesi largimi nga Shqipëria mbetet ende një pistë hetimi.

Kërkimet për gjetjen e të miturit janë përqendruar në Has, aty ku ka origjinën familja Gjuni. Mësohet se janë kontrolluar 15 banesa në zonën e Krumës ku mendohej se mund të strehohej Bahrija me nipin.

Për zhdukjen e 3-vjeçarit, policia ka arrestuar gjyshin Rexhep Gjuni, 60 vjeç dhe Arben Selaj, vëllai i gjyshes së 3-vjeçarit. Në kërkim është shpallur gjyshja Bahrije Gjuni, 57 vjeç, dhe vëllai tjetër i saj Flamur Selaj, 43 vjeç. Gjyshi Gjuni nuk ka ndihmuar grupin hetimor, duke mos dhënë asnjë të dhënë se ku mund të ndodhet i mituri.

Dramën e rëndë familjare e ka rrëfyer 23-vjecarja Ile Gjuni, e cila deklaroi se problemet me ish-vjehrrit kanë lindur pasi i vdiq bashkëshorti në aksident. Ajo ka shkuar të jetojë tek prindërit e saj po në zonën e ish-kënetës, ndërsa ish-vjehrrit vazhdimisht kërkonin kujdestarinë e 3-vjeçarit, gjë që nuk iu takon me ligj. Për të ulur tensionet ajo e çonte djalin tek gjyshërit gjatë fundjavave, por të shtunën ata kanë refuzuar ta kthejnë fëmijën e mitur, me pretendimin se do ta rrisin vetë./albeu.com


Shtuar 19.04.2024 14:56