Zbulohet plani, ja si po synohet ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë!

Në nëntor të vitit të kaluar emisari sllovak i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak u shpreh se Kushtetuta e Kosovës nuk është bibël dhe ajo duhet të ndryshohet për t’u themeluar Asociacionin e Komunave Serbe.

Njëjtë si Lajcak po mendon edhe analisti serb, Dushan Janjiç.

I cili së fundi deklaroi se “nuk ka kurrfarë arsye që Serbia, Kosova, BE të shkojnë në dialog nëse nuk i ndryshojnë kushtetutat aktuale dhe ligjet aktuale”.

Kurse, profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se përmes ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës dhe Serbisë, po tentohet që të ndryshohen kufijtë mes këtyre dy shteteve.

“Në kuadër të dialogut ka mendime e mendime, disa shkojnë nga mos ndryshimi i kufijve, ndërsa të tjerët e pranojnë ndryshimin.

Deklaratat për ndryshim të kushtetutave kanë për qëllim krijimin e rrethanave për tërheqjen e kufijve të rinj në mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi ai.

Kelmendi tregoi se dialogu për ndryshimin e kufijve nuk mund të ndodhë, nëse nuk plotësohen dy kushte.

“Dialogu me kompromise dhe për tërheqje të kufijve nuk mund të realizohet pa ardhur deri te realizimi i dy kushteve që duhet të plotësohen.

1. Në Kushtetutën serbe qëndron se Kosova është e Serbisë dhe si e tillë është e pandarë nga ky shtet dhe

2. Në Kushtetutën e Kosovës kemi pushtet unitar dy shkallësh dhe nuk lejohet prekja e tërësisë territoriale të Republikës”, theksoi juristi.

Në vazhdim, ai tha se nëse nuk arrihet të bëhen ndryshimet e lartpërmendura, atëherë nuk ka kufij dhe as marrëveshje midis shteteve sado që bëhen presione.

“Në këtë anë nuk ka kompromise pa ndryshim të normave kushtetuese të dy shteteve që ndalojnë kufijtë e rinj midis tyre.

Pa këto ndryshime kushtetuese nuk ka kufij dhe as marrëveshje midis shteteve sado që bëhen presione. Edhe nëse shkohet nga kompromisi ai do të dërgon sigurisht te ndryshimet kushtetuese”, nënvizoi Kelmendi.

Tutje, profesori tha se duke i njohur qëllimet e shtetit serb, Kosova nuk duhet assesi të heq dorë nga lëshuar Ujmani, Mitrovica dhe Trepça. Por, sipas tij pjesa tjetër veriore ka mundësi të ndërrohet me Luginën e Preshevës.

“Prandaj, duke i ditur pretendimet dhe qëllimet, është e rrugës të synohet tërheqja e kufinjve të ri midis Kosovës dhe Serbisë.

Këtu nuk duhet lëshuar Ujmanin, Mitrovicën dhe Trepçën, pjesa tjetër veriore mund dhe duhet të ndërrohet me Luginën e Preshevës si tërësi territorial”, potencoi ai.

Në fund, Kelmendi u shpreh se pavarësisht bisedimeve me Serbinë, qëllimi kryesor duhet të jetë bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

“I gjithë problemi është i manastireve ortodokse, aty kërkohet maksimalisht dakordim që NATO ti ruaj si objekte.

Dhe, ne fund, duhet domosdo të ecet në rrugën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, ky duhet të jetë përfundimi”, përmbylli Muhamet Kelmendi, përcjell “Bota sot”./BotaSot


Shtuar 11.07.2021 16:19