Xhelal Mziu kërkoi falje publike, reagon ashpër Rama: Nuk ka asnjë vlerë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ndjesës publike të kërkuar nga kandidati demokrat Xhelal Mziu i cili kërcënoi ditën e djeshme shtetasit  se nëse preket vota, do të përfundoni si në Elbasan.

Rama shkruan se nuk ka asnjë vlerë ndjesa duke e cilësuar PD partinë e dhunës e cila nuk duhet votuar më 25 Prill.

“Kush vjen në pushtet duke vrarë, dhunuar e kërcënuar edhe pushtetin e ushtron duke vrarë, dhunuar e kërcënuar!

Populli duhet t’u tregojë këtyre gangove me kravata dhe atyre që janë armatosur për të sjellë ndryshimin së prapthi në Shqipëri, se Shqipëria dhe shqiptarët nuk kthehen më mbrapsht! “- shkruan Rama ndër të tjera.

 

 

Reagimi i Ramës:

Ndjesa e këtij trogloditi nuk vlen asnjë qindarkë! Ky është një subjekt i vetëdeklaruar i drejtësisë penale, ndërsa kjo soj politike duhet të jetë subjekt i Drejtësisë Popullore në 25 prill!

Kush vjen në pushtet duke vrarë, dhunuar e kërcënuar edhe pushtetin e ushtron duke vrarë, dhunuar e kërcënuar!

Populli duhet t’u tregojë këtyre gangove me kravata dhe atyre që janë armatosur për të sjellë ndryshimin së prapthi në Shqipëri, se Shqipëria dhe shqiptarët nuk kthehen më mbrapsht!

Në 25 prill votohet për fëmijët që s’kanë të drejtë vote, por që asnjë borxh nuk u kanë prindërve të tyre kthimin e reve të zeza të së shkuarës mbi kokat e tyre!

Shqiptarë e shqiptare kudo që jeni, nga Tropoja e Kukësi në Konispol e Sarandë, nga Durrësi në Elbasan e Korçë, nga Shkodra në Lezhë e në Tiranë e Dibër, nga Berati, në Fier, Gjirokastër dhe Vlorë!

Tregojeni me votën tuaj, forcën e madhe të karakterit që Shqipëria kërkon sot prej të gjithë ne, në rrugën drejt majës ku duhet të vazhdojmë të ngjitemi, për ta bërë Shqipërinë zonjën që Zoti deshi, kur i fali bujarisht bukuritë e saj përrallore. /albeu.com/

 

Shtuar 23.04.2021 01:04