Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se autoritetet në Kosovë nuk duan zgjedhje.
“Lërini të bëjnë punën e tyre, por ata as nuk i duan ato zgjedhje, nuk duan asgjë”, tha Vuçiq pas ndjekjes së fazës përfundimtare të trajnimit të pjesëtarëve të Forcave të Armatosura Serbe.
Vuçiq këtë deklaratë e bëri kur u pyet nga një gazetar se si e komenton deklaratën e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili një ditë më parë ka thënë se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në komunat me shumicë serbe në veri derisa Bashkimi Evropian të heqë masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës.
Megjithatë, më 25 korrik, Bashkimi Evropian përsëriti thirrjen për shpalljen e zgjedhjeve nga ana e Kosovës, si dhe bëri thirrje që serbët që jetojnë në katër komunat veriore të marrin pjesë në këto zgjedhje.
“Ne nuk i komentojmë komentet. Megjithatë ne shfrytëzojmë rastin për të përsëritur se BE-ja pret nga palët që të implementojnë kërkesat që janë shprehur në deklaratën e 27 vendeve të BE-së me 3 qershor të vitit 2023. Kjo qartë përfshin se zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejtë që të jetë e mundur, të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat Serbe në veri. Nga serbët e Kosovës pritet që të marrin pjesë në këto zgjedhje”, thuhet në përgjigjen e Bashkimit Evropian për Radion Evropa e Lirë.
Qeveria e Kosovës është pajtuar më 10 korrik që të bëjë një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat veriore, pas verës.
Sipas marrëveshjes të arritur me BE-në, Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.
Bislimi një ditë më parë tha që është në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e sanksioneve, pas pajtueshmërisë së arritur mes Kosovës dhe BE-së në Bratisllavë, dhe tërheqjes së 25% të forcave policore nga ndërtesat komunale në 4 komunat veriore.
Megjithatë, burimet diplomatike nga BE-ja i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se heqja e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur Kosovës do të varet nga zbatimi i obligimeve që ka marrë Prishtina dhe hapat e tjerë që priten nga autoritetet në Kosovë për vazhdimin e përpjekjeve për të ulur tensionet në veri.
Masat ndëshkuese që BE-ja i ka vendosur ndaj Kosovës pasi e bëri fajtore për përshkallëzim të situatës në veri të vendit përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Masat tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë më 19 korrik janë takuar ndaras me të dërguarin për dialogun Miroslav Lajçak në Bruksel, ku është diskutuar “për një listë të gjatë të çështjeve të dialogut, duke nisur me zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe shtensionimin”.
Bashkimi Evropian i ka vlerësuar këto takime si “të vështira” dhe se ato “nuk kanë prodhuar rezultate të menjëhershme”.
Situata në veri të Kosovës është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.
Krytarët i kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët./rel