Vrau padashje shokun, çfarë parashikon Kodi Penal për vrasjen nga pakujdesia?

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Shqipërinë ku Marius Dema vrau me pistoletë Mehmet Qemën, shok i tij.

27 vjeçari Mehmet Qema u vra aksidentalisht me një plumb në gjoks nga shoku i tij. Vetëm pak orë pas ngjarjes së rëndë autori 28 vjeçar u vetëdorëzua në polici.

Në gjendje të rënduar psikologjike dhe mes lotësh ai i tha hetuesve se nuk e dinte që arma kishte fishekë.

Dëshmia e Marius Demës: “Kishim disa orë që qëndronim në lokal me miqtë e mi. Po luanim një moment me pistoletë. Nuk e dija që arma kishte plumb brenda. Më vjen shumë keq për shokun që vrava se sa për burgun që do bëj”.

Në polici u vetëdorëzuan edhe 5 personat e tjerë që ndodheshim në tavolinën me viktimën dhe autorin. Frenkli Myftari, Erlind Peka, Bralid Aga, Blerim Hoti dhe Xhuljano Koçi akuzohen për moskallëzim të krimit apo veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Por çfarë dënimi parashikon Kodi Penal lidhur me vrasjen e kryer nga pakujdesia? Vrasja e kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose deri në 5 vjet burg.

Akoma nuk ka një vendim zyrtar të njoftuar nga Policia e Shtetit lidhur me akuzat që rëndojnë mbi Marius Deman. /albeu.com/

 


Shtuar 11.05.2021 17:25