Prokuroria e Elbasanit ka çuar për gjykim dosjen e Erjon Llapushit, autorit të vrasjes së kryekamerierit të restorantit “Fish City” në Elbasan të ndodhur në tetor të vitit të kaluar.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan njofton se ka përfunduar hetimi dhe është dërguar për gjykim procedimi penal nr.1469, për ngjarjen e ndodhur më datë 02/10/2021 me të pandehur shtetasit:
– Erjon Llapushi hetuar më masën e sigurimit “Arrest në burg”, akuzuar për veprën penale të “Vrasjes me dashje” parashikuar nga neni 76 i K.Penal
– Luan Dulellari, hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”, akuzuar për veprat penale të “Moskallëzimit të krimit” parashikuar nga neni 300/1 i K.Penal dhe “Përkrahjes së autorit të krimit” parashikuar nga neni 302/1 i K.Penal, ku ka mbetur viktimë shtetasi Gazmend Kurmaku.
Ngjarja i referohet datës 02.10.2021, ku ka ndodhur një konflikt në ambjentet e subjektit “Rozafa Fish” në Labinot të Elbasanit, midis disa klientëve dhe punonjësit të restorantit të quajtur Gazmend Kurmaku, i cili pas një debati me autorin është goditur me grusht nga ky i fundit. Si pasojë viktima ka humbur jetën me datë 07/10/2021.
Hetimet u ndoqën nga Drejtuesi i Prokurorisë Z. Kreshnik AJAZI”, thuhet në njoftim.
Kush është Erjon Llapushi:
Erjon Llapushi është autor i vrasjes së kamarierit Gazment Kurmakum. Gjithashtu, dy vite më parë, Llapushi, së bashku me Saimir Frahollin u futën në mënyrë të dhunshme aksionerë në një kompani private e transportit rrugor. Llapushi ka qenë i dënuar për dy akuza të tjera, atë të “Plagosjes së rëndë me dashje” dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve dhe municionit”. 34-vjeçari është djali i Nevruz Llapushit, ish-oficer i Policisë së Shtetit dhe duket se Llapushi e ka shfrytëzuar pozicionin e të atit, pasi është arrestuar dhe akuzuar se ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që shantazhonte dhe terrorizonte me dhunë biznesmenët duke u vendosur gjoba. Për këtë arsye ai është arrestuar nga policia në vitin 2019. Në 15 maj të 2020 Erjon Llapushi ishte shënjestra e OFL-së për vetëdeklarimin e pasurisë ndërkohë që 4 muaj më parë Llapushi është arrestuar nga forcat blu pasi ka tentuar të trafikojë drejt Tiranës emigrantë të paligjshëm.