Vrasja e Xhuvanit, prokuroria kërkon arrest me burg për Paplekajn dhe 10 të dyshuarit

Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar arrest me burg për Arbër Paplekajn dhe dhjetë të dyshuarit e tjerë për vrasjen e Pjerin Xhuvanit dhe plagosjen e katër personave të tjerë në 21 prill.

Prokuroria deklaroi në seancë se pak ditë më parë Arian Hoxha ish zyrtar i lartë policie, shef sigurie i shtabit për mbrojtjen e votës në PD, ka telefonuar policinë që një qytetar Mehmet Greca po shpërndante para. Për këtë arsye ata e kanë bllokuar mjetin pa targa, i kanë marrë çelësin e nuk e kanë lënë të lëvizte.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur një numër i lartë të forcave Shqiponja e po kryenin veprime.

Papritmas ka thënë zv prokurori, pa e saktësuar si, janë dëgjuar të shtëna armësh e ka mbetur i pajetë Pjerin Xhuvani.

Autori i dyshuar është Arbër Paplekaj thotë prokuroria.

Sipas organit të akuzës, Paplekaj kur ka tentuar të largohet i ka vënë pistoletën në kokë një qytetari, i ka marrë automjetin e është dërguar në repartion RENEA në Tiranë ku dhe është vetëdorëzuar, ndaj është ngritur akuza e vjedhjes me armë, për mjetin që ka përdorur për tu larguar nga vendi i ngjarjes.

Kujtojmë që seanca është zhvilluar sot nën masa të rrepta sigurie, ku që në orët e para të mëngjesit forcat speciale RENEA e kanë marrë në mbrojtje godinën e gjykatës.


Shtuar 26.04.2021 10:41