Vrasja e trefishtë në Deçan, reagojnë familjarët e shoferit

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur pak ditë më parë në Deçan, ku humbën jetën dy nxënës dhe shoferi i autobuzit, kanë reaguar ditën e sotme familjarët e këtij të fundit.

Dhjetë ditë pas kësaj ngjarje tragjike nuk ka asnjë të arrestuar.

Ata thonë se ende janë në pritje të ndonjë informacioni për rastin.

“Familja, brengën kryesore e ka zbulimin e rastit. Nga kush erdhi? Pyetja që çdo ditë bëjmë ne familjarët, vëllezërit, nëna e baba, pse dhe nga kush erdhi vrasja? Ta dimë arsyen. Nëse do t’i kishim pasur dikujt borxh ka pasur alternative tjera. Kjo për momentin është brenga më e madhe”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Fatmir Gjokaj-familjar i shoferit të vrarë.

Gjokaj thotë se familja nuk është e kënaqur me institucionet shtetërore pasi sipas tij deri më tani së paku është dashur të ketë një pistë hetimi.

“Kemi hyrë në ditën e 11-të dhe nuk ka asnjë pistë hetimi. Nuk e kemi asnjë informatë të vetme që tregon se është duke u bërë një pistë hetimi apo që ka të dyshuar. Shpresojmë se një ditë e vërteta do të dalë në dritë”, deklaroi Gjokaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sasia e informacioneve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit është duke u shtuar.

“Sasia e informacionit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit është duke u shtuar, meqenëse hetuesit më të mirë tanë janë të përfshirë atje. Mirëpo kur të kenë diçka konkrete sa i përket të pandehurit ose të pandehurve që e kryen këtë vrasje të trefishtë mizore, ne natyrisht që do t’iu njoftojmë me kohë”, tha ai.

Nga Prokuroria e Pejës kanë thënë se hetimet janë duke vazhduar dhe se në këtë moment nuk mund të japin informacione tjera. Qeveria ka ofruar shpërblim në vlerë 20 mijë euro, për këdo që jep informacione që dërgojnë në arrestimin e autorëve të krimit./albeu.com/


Shtuar 6.12.2021 20:24