Ditën e sotme pritet të dalin para Gjykatës Themelore në Kosovë, Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu.
Ata akuzohen si të dyshuar kryesorë për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit në gusht të vitit të kaluar, një rast që kishte tronditur vendin dhe që ngjalli reagime të ashpra.
Lënda i është caktuar gjyqtarit Sahit Krasniqi dhe seanca është caktuar për në ora 10:00. Prokuroria Themelore në Ferizaj në fund të muajit të kaluar ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, më datë 22 gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Po ashtu, sipas prokurorisë, për të pandehurin Dardan Krivaça, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”.
Ndërsa, i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaça, në kryerjen e veprës penale të dhunimit, me çka kreu veprën penale ndihmë në kryerjen e dhunimit.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.
Në fillim të këtij muaji u publikua edhe dosja e plotë e prokurorisë në rastin e Marigona Osmanit, ku përshkruheshin dëshmitë se si 18-vjeçarja ishte dhunuar e më pas kishte ndërruar jetë.
Nofullën e poshtme të thyer, thyerje të brinjëve, thyerje të unazave të qafës, këputje e palcës së qafës, lëndime të syve, fytyrës dhe pothuajse në çdo pjesë të trupit, janë ato çfarë janë përshkruar në raportin e autopsisë.
Lëndimet e shumta apo siç thuhet në raport ‘poli trauma’, ka bërë që të vihet deri të vdekja e tanimë të ndjerës.