Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reguar rreth ngjarjeve të fundit që tronditi vendin me vrasjen e Liridona Ademajt.
Osmani u shpreh se vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar.
Ndërsa ka shtuar se është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe kryerësit e krimeve të tilla të llahtarshme të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj.
Postimi i plotë:
Vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar.
Femicidi është dëshmi rrënqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive.
Prandaj, është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe kryerësit e krimeve të tilla të llahtarshme të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj.
Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale.
Në këto momente të rënda për gjithë vendin tonë, ndajmë dhimbjen me familjen e Liridonës, e në veçanti me fëmijët e saj të cilët humbën nënën e tyre të shtrenjtë në rrethanat më monstruoze të mundshme.