Vrasja e ish-deputetit Pashko Ujka, flet gruaja: E vërteta e shitjes së shtëpisë dhe konflikti me familjen Kelmendi

Bashkëshortja e të ndjerit Pashko Ujka, Natalinë Ujka, ka treguar për herë të parë historinë e konfliktit për shitjen e shtëpisë ndaj familjes Kelmendi.

Pashko Ujka, ish-deputet dhe ish-kryetar komune i Velipojës, u vra më 29 Nëntor 2021 në lulishten poshtë banesës së tij në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër.

Për këtë ngjarje, në fillim të Dhjetorit 2021 u arrestuan dy persona, Kristjan Kelmendi dhe Marjan Kola, por aktualisht janë liruar dhe ndodhen në masë sigurie “arrest shtëpie”.

Në një intervistë për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, Natalinë Ujka, bashkëshortja e Pashko Ujkës, ka rrëfyer konfliktin që kanë pasur me familjen Kelmendi për shitjen e një shtëpie 12 vjet më parë, banesë për të cilën thonë se nuk e morën asnjëherë pagesën e plotë. Ata thonë se shtëpinë në atë kohë ia shitën Aleksandër Kelmendit, babait të Kristjan Kelmendit.

Natalinë Ujka: Ne kemi pasur një konflikt me Aleksandër Kelmendin. Aleksandër Kelmendi është nga fshati Trush i rrethit Shkodër. I kemi dhënë një shtëpi para 12 viteve që kur kemi ardhur në këtë shtëpinë e re këtu. Në Parrucë, 134 m2. Ka jetuar me familjen e vetë deri para 2 viteve.

Spartak Koka: Për të sqaruar të vërtetën, konkretisht, i kishit ju detyrime?

Natalinë Ujka: Ne ja kemi shitur shtëpinë 70 mijë Euro se ka qenë 134 m2. Ai ka dhënë një 10 mijë Eurosh herën e parë dhe një 5 mijë Euro. Ky ka nxjerrë toka në Rrjollë, na ka dhënë 3 tapi që tapitë dolën false.

Spartak Koka: Këto tapitë ishin kompensim financiar?

Natalinë Ujka: Po, për pjesën tjetër të shtëpisë, detyrimit. Edhe këto tapi dolën false.

Spartak Koka: Kur dolën false?

Natalinë Ujka: Pas disa viteve. Dolën false edhe Pashko i tha ka ardhur të më kthesh lekët ose shtëpië, njërën nga të dyja, se shtëpia është e imja, është e fëmijëve të mi. Të lutem hajde të flasim bashkë njëri me tjetrin. Ka ardhur në Prill para 2 viteve, ka ardhur këtu në shtëpinë time. Se Pashko ka qenë me parkinson, ka dridhje. Kështu që i tha a mundesh të vish te shtëpia ime? Po. Edhe ka ardhur këtu. I tha, e di sa lekë më ke dhënë? Po e di tha. E di si m’i ke dhënë tapitë? Po e di. Kanë dalë false. Po kanë false. A mundesh të m’i japësh lekë kusurin tjetër se shtëpia është e imja, është mundi dhe djersa ime e fëmijëve të mi, nuk të kam gjë borxh që të jetosh ti në shtëpinë time. Lere që ai kishte ikur prej asaj shtëpie, kishte 2 vjet që kishte ikur e ishte në Itali, ia kishte lënë me qira dikujt tjetër. 2 vjet që s’kishte paguar as lekë dritash.

Spartak Koka: Por ndërkohë shtëpia ishte në emrin tuaj?

Natalinë Ujka: Shtëpia ka qenë komplet në emrin tonë, Pashko Ujka dhe Natalinë Ujka. Edhe i tha mundesh të më japësh kusurin? I takonte edhe 55 mijë Euro për të na dhënë. Ok tha. Në qoftë se unë vij më 1 Qershor, do të të bie lekët. Nëse nuk bie lekët, shtëpia është e jotja merr bëj çfarë të duash. E tha këtu në shtëpinë time, veç marrëzia më e madhe e imja është që nuk e incizova. Kaq. Megjithatë ka një mesazh në telefon të Pashkos që unë nuk e pashë kurrkund nëpër letra. I kemi rënë telefonit 100 herë në datën 1 Qershor edhe mbrapa, ai s’e ka hap telefonin as edhe njëherë më në Itali. I kemi shkruar mesazh ku do që të t’i lëmë rrobat e shtëpisë. Këta kanë ikur edhe rrobat e trupit i kanë lënë të gjitha aty. Unë kur kam dalë prej asaj shtëpie, ka fjetur 12 vjet ai në rrobat e mia. Jemi kemi lënë komplet të mobiluar, s’kemi marrë asnjë gjë më të vogël.

Spartak Koka: Çfarë ka ndodhur më pas? Pse shpërtheu konflikti? Se ju keni bërë në Gusht të vitit 2021 një kallëzim në polici. Çfarë ndodhi më pas? Në 1 Qershor 2019 Aleksandri nuk iu bind asaj që kishte premtuar, nuk erdhi. Çfarë bëtë ju.

Natalinë Ujka: Pashko ka marrë njerëzit e vetë dhe ka shkuar te shtëpia. I ka rënë derës i kanë dalë dy burra. Ata burrat nuk e di çfarë kanë qenë, nga Velipoja dhe ata, që ia ishte dhënë ky me qira. I kanë thënë është shtëpia e Sandër Kelmendit, çfarë do ti. Ky djali që ishte aty ka marrë në telefon djalin e Sandrit, Kristjanin, i ka thënë m’a nxirr Sandrin. Sandrin s’ja ka nxjerrë. Ka dalë i biri, ka thënë bjere se flas unë me të. E ka sharë Pashkon. Pashko ka qenë zotëri, i ka thënë unë s’kam lidhje me të sharat e tua mor bir. Uën kam folur me babanë tënd edhe duhet të më përgjigjet babai jot jo ti. Kur të kam dhënë shtëpinë para 12 viteve, s’ke qenë as 15 vjeç, kështu që të lutem nxirr babain të flas me babain ku do që t’i lë rrobat se unë shtëpinë dua ta shes, dua të marr lekët e mia. Ky shau, e mbylli, do të vras, do të bëj…

Spartak Koka: Do të vras?

Natalinë Ujka: Po po, e ka kërcënuar. Edhe këta i kanë thënë në qoftë se ti prek një gjë sa më të vogël në atë shtëpi, unë do të vras.

Spartak Koka: Kujt i kanë thënë?

Natalinë Ujka: I kanë thënë Pashkos djali i Sandrit në telefon. Megjithëse nuk kishin sjellë lekët, kishin jetuar dhe 12 vjet në shtëpinë time, flinin në shtratin tim, të gjithë gjërat e mia, ata i morën edhe jetën besoj.

Spartak Koka: Çfarë ndodhi më pas?

Natalinë Ujka: Më pas ka shkuar në polici, ka bërë proces-verbal, ka ardhur me polic që e kanë parë shtëpinë. Kemi bërë procesverbal për gjërat që ka pasur brenda. Kemi marrë rrobat, i kemi çuar në Velipojë se s’dinim ku t’i linim. Kemi shitur shtëpinë.

Spartak Koka: Ja keni çuar rrobat?

Natalinë Ujka: Jo, s’ja kemi çuar se s’kishim ku, ai s’ka shtëpi kurrkund. Edhe nuk na tha ku t’ja çonim, i kam lënë në Velipojë te garazhdi jonë.

Spartak Koka: Si arritët ta merrnit shtëpinë?

Natalinë Ujka: Me atë në policisë. Kanë thyer çelësin a ku e dinë se çfarë. Ata djemtë ja ka dhënë edhe vetë çelësin se e kanë parë që shtëpia është e jona nuk është e tij.

Spartak Koka: Kur e keni marrë shtëpinë ju?

Natalinë Ujka: Më 20.8.2021 më duket se ishte.

Spartak Koka: Pas këtij kallëzimi që keni bërë ju, çfarë ka ndodhur? Kush e ka sot atë apartament?

Natalinë Ujka: Atë apartament e kam shitur. Se duhet të paguaja lekët e kredisë që kisha. Kishim 42 milionë Lekë pa paguar të kredisë. Dhe ka qenë për 25 vjet shtëpia e bllokuar.

Spartak Koka: Diferencën, 15 mijë Euroshi që ju kishte dhënë Aleksandër Kelmendi, ia keni kthyer mbrapsht?

Natalinë Ujka: Jo. Se s’kemi folur më me të, nuk na ka hapur telefonin as edhe një herë. Kemi shkuar në Itali, i kemi rënë numrit të telefonit të tij, s’na ka hapur telefonin.

Spartak Koka: Pasi e morët shtëpinë?

Natalinë Ujka: Pasi e kemi marrë shtëpinë.

Spartak Koka: Donit ju t’i jepnit lekët?

Natalinë Ujka: Megjithëse unë nuk i kam gjë borxh se ka jetuar 12 vjet, i kam paguar vetë dhe 2.5 milionë dritat që s’i kishte paguar për 2-3 vjet, edhe prapë Pashko thoshte që do t’ja kthej ndonjë lekë./tvklan.al


Shtuar 2.02.2022 13:48