Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia thotë se po vazhdojnë negociatat për sigurimin e vaksinave kundër Covid-19.
Ai tha se procesi i vaksinimit do të intensifikohet muajin e ardhshëm, atëherë kur pritet të vijnë dozat tjera të vaksinave.
“Negociatat me kompanitë prodhuese të vaksinave po vazhdojnë dhe janë në rrugën e duhur. Procesi i vaksinimit gjithashtu po vazhdon dhe nga muaji maj do të të intensifikohet me arritjen e vaksinave të reja”, theksoi ai.
Vitia ka thënë se vdekjet mund të shmangen duke respektuar masat.
“Situata pra 7 prillit mbetet e pa pranueshme. Hospitalizimet dhe vdekjet mund dhe duhet të shmangen përmes masave dhe udhëzimeve institucionale”, shtoi ai.
Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka regjistruar të dielën në Kosovë 11 viktima me coronavirus.
Sipas këtij institucioni, në 24 orët e fundit janë regjistruar 364 raste të infektimit me këtë virus, pas testimit të 3,501 mostrave.
Kjo nënkupton që 10.3 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë.
IKSHPK-ja ka njoftuar se më 18 prill janë shëruar 529 pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 12,433.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 101,517 pacientë me këtë virus.
Prej tyre 2,072 kanë vdekur.
Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.
Ky vend është thënë se do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.