Pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për ta shtyrë sërish procesin ndaj katër ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së dhe për ta caktuar shpalljen e aktgjykimit më 16 shtator, ka reaguar kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Sipas tij, kjo gjykatë jo vetëm që e ka humbur besimin dhe është larguar nga misioni i saj, por po ndikon gjithnjë e më shumë edhe në rritjen e pakënaqësisë së qytetarëve në Kosovë.
Të lidhura
None found
Në reagimin e tij të plotë, Hamza vlerësoi se shtyrja e vazhdueshme e afatit për vendimin përfundimtar në çështjen ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së dëshmon se Gjykata Speciale në Hagë po funksionon më tepër si instrument politik, sesa si një trup gjykues që udhëhiqet nga parimet e drejtësisë.
Ai tha se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po vazhdojnë të mbeten peng i një procesi që e cilësoi të padrejtë dhe pa fund. Sipas Hamzës, paraburgimi i zgjatur tashmë është kthyer në një ndëshkim të padrejtë për ta, ndërsa Gjykata Speciale, përveçse ka humbur besimin dhe ka devijuar nga misioni i saj, po e thellon edhe më shumë pakënaqësinë e qytetarëve në Kosovë.
Hamza theksoi se çdo ditë e një procesi të padrejtë është e papranueshme dhe se 16 shtatori mbetet një datë e largët për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie.
