Kosova rrezikon të humbasë të paktën 40 milionë euro nga Plani i Rritjes, pasi nuk i ka përmbushur brenda afatit detyrimet e parashikuara në agjendën e reformave.
Deri më 30 qershor, institucionet vendore duhej të realizonin 13 hapa, por 6 prej tyre mbetën pa u zbatuar për shkak të mungesës së institucioneve funksionale.
Të lidhura
None found
Jeton Zulfaj, kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, bëri të ditur se vlera përfundimtare e mjeteve që humben do të përcaktohet nga Komisioni Evropian.
“Kostoja e përllogaritur e mosarritjes së realizimit në kohë të këtyre gjashtë hapave llogaritet të jetë mbi 40 milionë euro”, tha Jeton Zulfaj, kryenegociatori i Kosovës me BE-në.
Sipas Zulfajt, pesë nga hapat e parealizuar kërkonin votimin në kuvend, ndërsa një tjetër nuk mund të miratohej nga qeveria në detyrë. Për këtë arsye, ai fajësoi opozitën për bllokim, në momentin kur projektligjet u dërguan në parlament.
“Nuk arritën të kaloheshin në seancë plenare ku kërkohej kalimi në procedurë të përshpejtuar e që kërkonte 2/3 e të pranishmëve. Opozita pat qëndru në sallë për të pamundësuar arritjen e 2/3-ve”, tha ai.
Ai njoftoi gjithashtu se Kosova ka afat deri më 15 korrik që t’i paraqesë kërkesë Komisionit Evropian për disbursimin e fondeve që lidhen me hapat e zbatuar deri tani, ndërsa Komisioni ka 90 ditë kohë për të kthyer përgjigje.
Mes detyrimeve të paplotësuara të agjendës së reformave janë ligji për energji dhe energji elektrike dhe aktet nënligjore, sistemi i kontrollit të ndihmës shtetërore, ligji për inovacion, legjislacioni kornizë dhe aktet nënligjore për falimentimin dhe paaftësinë paguese, pakoja e ligjeve për reformën në drejtësi, ligji për KPK-në, KGJK-në, Akademinë e Drejtësisë, si edhe strategjia për luftimin e krimit të organizuar. Për këto masa, Kosovës iu dha kohë shtesë deri në fund të qershorit pikërisht për shkak të mungesës së institucioneve funksionale.
Nga ana tjetër, deri në fund të vitit 2026, Kosova duhet të përmbushë edhe 61 hapa të tjerë, në mënyrë që të mund të përfitojë mbi 440 milionë euro nga Plani i Rritjes.
