VIDEO/ Drejtonte automjetin nën efektin e drogës, arrestohet 29-vjeçari në Tiranë

Një 29-vjeçar i cili drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike është arrestuar nga policia e Tiranës.

Ka shkuar në 24 numri i drejtuesve të automjeteve që kanë rezultuar në efektin e drogave, pas testimit me aparatin AquilaScan, gjatë këtij viti.

“Shërbimet e Policisë Rrugore, në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor apo drejtojnë automjetet, në mënyrë të parregullt, arrestuan në flagrancë shtetasin A. H., 29 vjeç”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ky shtetas u ndalua për kontroll pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke drejtuar automjetin, në mënyrë të parregullt. Pas testimit me aparatin AquilaScan, rezultoi se ky shtetas po e drejtonte automjetin, në efektin e lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Gjatë shoqërimit në Komisariat, ky shtetas ka kundërshtuar punonjësit e Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /Albeu.com/


Shtuar 2.08.2023 09:43