Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me drejtoren për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, e cila po qëndron për herë të parë për vizitë në Republikën e Kosovës.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Kurti vlerësoi se Kosova është “lidere rajonale në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, të drejtat politike, liritë civile, si dhe në indekset e zgjedhjeve dhe demokracive liberale”. Ai theksoi gjithashtu se vendi ka bërë përparim në reformat europiane, është plotësisht “i linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian”, si dhe “ka regjistruar rritje të vazhdueshme ekonomike”.
Të lidhura
None found
Sipas tij, për herë të parë në 15 vjet, Kosova është hequr nga listat e vendeve të brishta dhe të ndikuara nga konfliktet nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
“Bashkimi Evropian është kontribues i madh në zhvillimin e Republikës sonë, ndërsa anëtarësimi është qëllimi dhe e ardhmja e Kosovës. Vullnetit të popullit tonë për anëtarësim, BE-ja duhet t’i përgjigjet me vullnet të ndërsjellë për pranim. Statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave, janë pikënisje e një procesi nga i cili Kosova forcon demokracinë dhe zhvillohet edhe më shumë”, shkroi Kurti.
Ai bëri të ditur se në takim u trajtuan edhe tema që lidhen me “Planin e Rritjes, integrimin në zonën ‘Roam Like at Home’, Procesin e Berlinit, bashkëpunimin rajonal dhe përfaqësimin e barabartë, sikurse edhe infrastrukturën, tregtinë, digjitalizimin e arsimin”.
