Gjykata e Fierit ka shpallur vendimin përfundimtar për të pandehurit e çështjes së vrasjes së dyfishtë në Kurjan, të ndodhur më 10 shtator 2024, duke dënuar Altin Kukën me burgim të përjetshëm. Për të njëjtën ngjarje, gjykata ka caktuar edhe dënime me 27 dhe 30 vite burg për dy djemtë e tij.
Dy viktimat, Gramos dhe Lavdimir Kurtaj, mbetën të vrarë para një lokali që ishte në pronësi të familjes Kurtaj, pas të shtënave me armë zjarri.
Të lidhura
None found
Sipas hetimeve, përplasja mes dy familjeve kishte nisur më herët. Në episodin fillestar, Ervis Kukaj, djali i autorit, ishte përfshirë në një konflikt fizik me anëtarë të familjes Kurtaj dhe gjatë atij incidenti kishte përdorur armë zjarri.
Nga dosja hetimore rezulton se më pas ai ka njoftuar vëllain e tij, Emauris Kukaj, lidhur me ngjarjen. Ky i fundit ka marrë një armë zjarri automatike dhe është drejtuar për në vendin ku ndodheshin viktimat.
Hetimet thonë se arma është bërë gati për përdorim prej tij dhe se ai ka nxitur të atin, Altin Kukën, të hapë zjarr ndaj dy viktimave, çka solli vrasjen e tyre.
Gjykata ka arritur në përfundimin se veprimet ishin të koordinuara dhe të lidhura mes anëtarëve të familjes, ndaj edhe ka dhënë dënime të rënda për të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje.
