Mes lotëve dhe dhimbjes, familjarë e kolegë i japin lamtumirën e fundit nënkomisarit Arben Pjeçi

Këtë të premte, është përcjellë për në banesën e fundit nënkomisari Arben Pjeçi, i cili ditën e djeshme, i dha fund jetës në kushtet e depresionit, pas një vendimi penal me 40 orë punë në komunitet, vendim që çoi në lirimin e tij nga detyra, pas një karriere 35-vjeçare në polici.

Familjarë, të afërm dhe kolegë i kanë dhënë lamtumirën e fundit mes lotëve dhe dhembjes për fundin e papritur të kolegut dhe mikut të tyre.

Nënkomisar Pjeçi, baba i dy fëmijëve, i dha fund jetës së tij pas urdhrit të lirimit, ndërsa ishte në gjendje të rënduar që nga vera e vitit të kaluar, kur gjykata e Durrësit e dënoi me 40 orë punë në komunitet, pasi i pezulloi dënimin me 3 muaj burg për plagosje të lehtë.

I njëjti dënim u dha dhe për fqinjin e tij Kujtim Huqi, me të cilin u përfshi në një sherr fizik me grushte e shqelma, më 25 qershor 2022 në zonën e plazhit, pas një konflikti çasti për bllokimin e rrugës nga një parkim i gabuar i automjetit.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes brenda komisariatit të policisë së Durrësit, po kryhen nga Prokuroria.