Vendimi i Gjykatës, motra e 42-vjeçarit: Egli po vritet për herë të tretë

Motra e 42-vjeçarit Egli Progës, ka reaguar pasi Gjykata e Korçës la në burg autorin e vrasjes së vëllait të saj Denis Meçe, ndërsa për tre personave të tjerë, vendosi detyrim paraqitje.

Ajo e ka konsideruar vendimin një padrejtësi, duke shtuar se “Egli po vritet për herë të tretë”.

Jonida Proga, u shpreh se kemi të bëjmë me vrasje me dashje në bashkëpunim, duke theksuar se “ndaj një njeriu të pafajshëm janë lëshuar një tufë huliganësh”.

“Po flisni për padrejtësi që filloi nga policia e shtetit, padrejtësi duke filluar nga regjistrimet, cdo akt që kanë sjellë ata, akt që ka shoqëruar edhe gjykatën në padrejtësi. Janë lënë të lirë të gjithë vrasësit, flasim për padrejtësi të menjëhershme, në kohë, në bashkëpunim. Flasim për banda të bëra bashkë. Kam parë skedën e vdekjes, me shënim “është vrasje”. Çfarë janë këta të tjerët që lihen me detyrim paraqitje?

Po vazhdon të vritet Egli, me cdo veprim dhe mosveprim që është duke u kryer. Kjo është vrasje për herë të tretë.

Po flasim për vrasje me dashje, në bashkëpunim, në masë, të një njeriu të pafajshëm dhe janë lëshuar një tufë huliganësh. Kjo është.

Duke njohur kontigjentët, unë nuk jam në dijeni për gjobë, por duke njohur elementët është gjëja më e rëndë. Kur guxohet ta vrasësh, me grushta një njeri, do të thotë që çdo gjë tjetër është e mundur. Është bërë më ekstremi, më e madhja”, tha ajo.

I afërmi tjetër hedh akuza të forta, ku ftoi mediat që të zbardhet e vërtëta, pasi sipas tij këta janë kriminela.

“Gjithcka pritet nga këta kriminelë. Në qytetin e Pogradecit këta njihen shumë mirë për gjobvënie, jam pa fjalë. Nuk di cfarë të them. Dua që drejtësia të vihet në vend. Ju lutem mediat të bëjnë të pamundurën, të zbardhin të vërtetën ose nuk e di c’të them. Këta janë kriminela të gjithë në bashkëpunim”, tha ai.


Shtuar 13.08.2024 14:10