Mbreti i ri i Britanisë së Madhe Çarls III dhe bashkëshortja e tij Kamila janë larguar nga kështjella Balmoral, ku edhe u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme nëna e tij Mbretëresha Elizabeta II, për të fluturuar drejt Londrës.
Homazhet për Elizabeth II, e cila vdiq dje në moshën 96-vjeçare pas 70 vitesh në fron, do të drejtohen sot në Dhomën e Komunëve nga Liz Truss, ndërsa vendi hyn në një periudhë të zgjatur zie kombëtare, për 17 ditët e ardhshme.
As ora dhe as moti me shi nuk i kanë penguar njerëzit të grumbullohen me mijëra jashtë Pallatit dhe rezidencave të tjera mbretërore për t’i bërë nderimet e tyre monarkes më jetëgjatë të vendit.
Me mesazhe simpatie që mbërrinin nga e gjithë bota, Mbreti i ri udhëhoqi homazhet mbrëmë për “nënën e tij shumë të dashur” ndërsa foli për “trishtimin më të madh” për familjen e tij.
Charles foli për pikëllimin e tij dhe “respektin dhe dashurinë e thellë për Mbretëreshën”.
Fjalët e tij erdhën menjëherë pasi Pallati Bakingham konfirmoi se Mbretëresha vdiq paqësisht pasditen e djeshme në Balmoral, në moshën 96-vjeçare.
Ndërkohë, Mbreti Çarls III do t’i drejtohet kombit me një deklaratë televizive në orën 18:00, ndërsa Parlamenti pritet të kryejë homazhe sot dhe nesër para se të shtyhen punimet për dhjetë ditë.