Banka Popullore sqaron: Vendimi serb prek vetëm Alta Bankën në Serbi, jo bankën në Maqedoninë e Veriut

Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka sqaruar se vendimi i Bankës Popullore të Serbisë për heqjen e licencës së operimit të Alta Bankës në Beograd nuk sjell automatikisht revokimin e licencës së Alta Bankës SHA Manastir.

Sipas institucionit maqedonas, masa e marrë nga autoritetet serbe lidhet vetëm me aktivitetin e bankës në Serbi. Alta Banka në Maqedoninë e Veriut është një entitet juridik më vete, i krijuar dhe i regjistruar në përputhje me ligjet vendore.

Të lidhura

None found

“Banka vendore është person juridik i pavarur, i themeluar dhe i regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, veprimtaria e së cilës vlerësohet në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullatore vendore”, thuhet në njoftimin e Bankës Popullore.

Autoriteti mbikëqyrës bëri të ditur se po monitoron me vëmendje situatën dhe çdo rrethanë që mund të ketë ndikim në funksionimin e bankës, duke përfshirë edhe rreziqet që lidhen me strukturën e saj pronësore.

“Banka Popullore, si mbikëqyrëse kompetente, e ndjek gjendjen dhe vepron në përputhje me dispozitat ligjore”, thuhet në vijim të njoftimit.

Institucioni sqaroi gjithashtu se përfitimi i një pjesëmarrjeje të kualifikuar në një bankë realizohet përmes një procedure të plotë, ku shqyrtohen kriteret e përcaktuara nga ligji mbi bazën e të dhënave zyrtare në dispozicion.

Banka Popullore u kërkoi qytetarëve t’u referohen vetëm burimeve zyrtare dhe informacioneve të verifikuara, duke mos nxjerrë përfundime nga pretendime të pakonfirmuara apo spekulime.

“Banka Popullore do të vazhdojë ta ndjekë me kujdes gjendjen dhe të veprojë në mënyrë të pavarur, profesionale dhe ekskluzivisht në përputhje me kompetencat e saj ligjore, në interes të sigurisë së sistemit bankar dhe mbrojtjes së depozituesve”, përfundon njoftimi.


Shtuar më 31.10.2026 18:11