Fundjava e fundit e korrikut shënoi një rekord të ri fluksi në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës, ku mijëra qytetarë nga Kosova zgjodhën Shqipërinë si destinacion. Sipas raportimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Emigracionin, gjatë një intervali prej 27 orësh e gjysmë, konkretisht nga ora 05:00 e 25 korrikut 2026 deri në orën 08:30 të 26 korrikut 2026, në territorin shqiptar kanë hyrë 45 518 shtetas kosovarë.
Po gjatë kësaj periudhe, autoritetet regjistruan edhe kalimin e 12 790 mjeteve me drejtim Shqipërinë. Sipas strukturave kufitare, kjo rritje e theksuar e lëvizjeve lidhet drejtpërdrejt me pragun e muajit gusht, i cili shënon kulmin e sezonit të pushimeve. Një peshë të konsiderueshme në këtë fluks ka edhe kthimi i mërgimtarëve kosovarë, të cilët prej vitesh e kanë traditë të pushojnë si në plazhet shqiptare, ashtu edhe në zonat malore turistike.
Të lidhura
None found
Autoritetet presin që Morina të vijojë të jetë nën presion të lartë në javët e ardhshme. Në funksion të kësaj, forcat e Policisë Kufitare janë të mobilizuara për të administruar numrin e madh të udhëtarëve dhe automjeteve që mbërrijnë gjatë verës. Për të shmangur radhët e gjata, mbetet në fuqi marrëveshja për lëvizjen pa ndalesë të makinave me targa të Kosovës dhe Shqipërisë, teksa për mjetet me targa të huaja aplikohen lehtësira procedurale.
