Nga fillimi i qershorit, Shqipëria u përfshi në valën e katërt të pandemisë COVID-19. Në dy muaj, u raportuan zyrtarisht rreth 40 mijë infektime të reja dhe 57 humbje jete nga nënvariantet BA2 dhe BA5. Ekspertët e Shëndetit Publik parashikojnë se COVID-19 do të qëndrojë gjatë mes nesh, me frikën se variantet e reja mund të bëhen edhe më agresive. Mjekët që po trajtojnë COVID-19, raportojnë se vala e katërt kishte simptoma më të lehta, por COVID-19 ka rritur barrën e sëmundjeve, pasi janë invalidizuar rreth 4% e të infektuarve nga valët e tjera. Ekspertët dhe mjekët rekomandojnë mbajtjen e maskave dhe distancimin në periudhën e dimrit, pasi kanë rezultuar efikase. Sëmundjet e tjera mbeten të nëndiagnostikuara. 1800 shtretër në dispozicion të pandemisë deri më 2023.
Shqipëria aktualisht është në kulmin e një vale të katërt të pandemisë COVID-19, prej përhapjes masive të nënvarianteve BA2 dhe BA5. Infektimet u rikthyen në fillim të muajit qershor dhe u rritën me shpejtësi gjatë kësaj periudhe, duke u marrë jetën 57 personave, sipas raportimeve zyrtare nga data 1 qershor deri më 5 gusht.
Të dhënat e fundit tregojnë se kurba e infektimeve ka nisur rënien, por ekspertët janë të bindur se COVID-19 do të qëndrojnë gjatë. Pavarësisht se nënvariantet e reja kishin simptoma më të lehta, ato ishin një barrë shtesë në shëndetin e popullatës dhe po krijojnë një mortalitet ende të lartë në krahasim me virozat e zakonshme.
Valët e reja të COVID-19 do të mbajnë të ngarkuara sistemet shëndetësore, që lidhen direkt me administrimin e sëmundjes, pasi shumë persona janë duke vuajtur pasojat afatgjata të infektimeve të mëparshme.
Eksperti i njohur i Shëndetit Publik, Alban Ylli, tha se kjo sëmundje me shumë siguri do të ngelet ndër problemet e mëdha te shëndetit publik në vitet e ardhshme. Sipas tij, SARS Cov-2 ka shumë mundësi për të evoluar në të ardhmen dhe disa prej varianteve të reja mund të jenë të rrezikshme.
Mjeku pneumolog Petrit Malaj, i cili që nga fillimi i pandemisë po merret me trajtimin e të infektuarve me COVID-19, tha se që nga vera e 2020-s, COVID-19 ka krijuar një ngarkesë të shumëfishtë në profilin e punës (trajtimi i mushkërive).
“Në njërën anë, na duhet të trajtojmë pacientët që janë pozitiv me COVID-19 dhe në të njëjtën kohë, persona që e kanë kaluar infektimin, kanë mbetur të sëmurë kronikë.
Që kur nisi pandemia, kërkesa për shërbime, konsulenca, vizita dhe trajtime në Poliklinikën e Sëmundjeve të Mushkërive (“Hektor Çoçoli”) është trefishuar”, – tha ai. Mjeku shpjegoi se vala aktuale e nënvarianteve të Omicron nuk ka vepruar me prekje të mushkërive. Simptomat më së shumti ngjanin me viroza të lehta si dhembje fyti, dhembje koke, pak lodhje dhe në disa raste, të vjella.
Nga fillimi i qershorit, vala e katërt ka shkaktar rreth 40 mijë të infektuar zyrtarisht, por mjekët pohojnë se të prekurit ishin shumë më tepër, por pjesa dërrmuese nuk kanë bërë tampon, pasi nuk kanë shfaqur simptoma të dukshme.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, niveli real i infektimeve, i matur nëpërmjet një studimi të seroprevalencës, vlerësohet të jetë mbi 10 herë më i lartë krahasuar me rastet e diagnostikuara. Qarkullimi i virusit ka qenë më intensiv në Tiranë dhe në disa qytete të mëdha në perëndim të vendit.
Qarkullimi komunitar i virusit SARS-CoV-2 në Shqipëri, ashtu si në shumicën e vendeve të Europës Lindore ka filluar relativisht më vonë se në shumicën e vendeve të Europës Perëndimore.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, kjo ka lejuar efektshmëri të lartë të masave të shëndetit (jo farmaceutike) gjatë valës së parë të pandemisë në pranverën e vitit 2020.
Është vlerësuar se për çdo ditë shtyrje të qarkullimit komunitar të virusit janë parandaluar rreth 30 vdekje për 1 milion banorë.
COVID-19 nuk do të ndalet
Ekspertët e Shëndetit Publik në botë po zhvillojnë skenarë të bashkëjetesës me pandeminë COVID-19 për një kohë gjatë. Duke marrë në konsideratë sjelljen e virusit deri më tani, me gjasë do të zhvillohen nënvariante të tjera në ardhmen. Eksperti Alban Ylli thotë se, me shumë gjasë do të ketë valë të tjera të lidhura me nënvariantet, apo me stinën e dimrit.
“Nga pikëpamja e mbrojtjes sonë imunitare, me shumë gjasë variantet e nënvariantet që do të qarkullojnë do të bëjnë më pak dëm se më parë, në një popullatë me imunitet më të mirë”,- shtoi ai.
Mjeku Malaj thotë se, vaksina dhe imuniteti natyral janë duke e bërë më të lehtë administrimin e sëmundjes dhe dëmin e saj në shëndetin e popullatës. Nga përvoja personale, imuniteti natyror po rezulton më efektiv, tha ai.
Ka shumë pacientë që në valën e parë kanë qenë të sëmurë rëndë dhe janë trajtuar gati 6 muaj me oksigjen, por infektimet e fundit i kanë kaluar me shenja krejt të lehta pa pasur nevojë për mjekime. Malaj thotë se Shqipëria ka krijuar imunizim të fortë natyror, pasi përhapja e virusit ka qenë më e lartë se infektimet e identifikuara me tampon.
Ai shpjegoi se tashmë trupa mjekësore është më e përgatitur për trajtimet e sëmundjes, pasi është krijuar përvojë e konsiderueshme. Ka më shumë qartësi mbi efektivitetin e mënyrave të trajtimit dhe sjelljen e sëmundjes.
Janë invalidizuar rreth 4% të infektuarve
Mjeku Malaj tha se pandemia COVID-19 e ka cenuar rëndë shëndetin e popullatës. Përveç mortalitetit të lartë, rreth 4% e të infektuarave janë invalidizuar dhe një pjesë tjetër janë kthyer në të sëmurë kronikë.
“Kur them invalidizim, kam parasysh se personat pas infektimit nuk janë të aftë të punojnë dhe do të kenë gjithmonë nevojë për asistencë mjekësore dhe shoqërore. Këta persona vuajnë nga dëmtimi i lartë i mushkërive, fibroza polmunare të parikuperueshme”, tha mjeku.
COVID-19 krijoi një grup të ri pacientësh që do të kenë nevojë për trajtim mjekësor gjatë gjithë jetës. Këta pacientë do të duhet të përballen me kosto shtesë për trajtimin e pasojave dhe gjithashtu njësitë shëndetësore që merren me trajtimin e mushkërive do të përballen me fluks të përhershëm të krijuar nga COVID-19.
Mjeku tha se, duhet riorganizim në burime njerëzore shtesë, sidomos në shërbimin parësor, në mënyrë që administrimi i infektimeve të kryhet në një fazë më të hershme. Mbi 15% e atyre që e kanë kaluar infeksionin me prekje në shkallë të madhe të mushkërisë vuajnë nga fibrozat polmunare, një lloj i kalcifikimit të pjesëve të mushkërisë që, në disa raste, kthehen në dëme të përhershme.
Sipas vlerësimeve nga Poliklinika e Trajtimit të Mushkërive, rreth 20% e pacientëve vuajnë nga një lodhje e gjatë kronike, e cila zgjat në kohë. Pacientët me këto simptoma nuk ndihen si më parë, gati edhe një vit pasi kanë kaluar infeksionin.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përkufizuar një sindromë të re, e cilësuar “Long COVID”. Instituti i Shëndetit Publik, në tetor të vitit të kaluar, numëronte rreth 20 mijë persona, që kanë kaluar infektimin, po vuajnë pasojat post-COVID dhe tashmë do të jenë një barrë e re për sistemin shëndetësor në vend.
Të sëmurët me “COVID të gjatë” vuajnë nga dëmtimet në formën e fibrozave në mushkëri, paaftësia fizike, çrregullime psikike, nervore dhe depresioni. Studimet e huaja kanë gjetur 55 anomali në shëndet, të krijuara nga COVID-19.
Depresioni dhe prekja e sistemit nervor është një nga simptomat kryesore të “COVID të gjatë” edhe në Shqipëri, ashtu si dhe në botë. Gjatë vitit 2021, shtrimet në pavijonet e spitalit psikiatrik u rritën ndjeshëm, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë. Vlerësimet e brendshme dhe ato të jashtme tregojnë se, personat që kanë kaluar COVID-19 me simptoma kanë pasur të paktën një kontakt me sistemet shëndetësore.
Në spitalin “Shefqet Ndroqi”, që merret me trajtimin e sëmundjeve pulmonare, është hapur dhe funksionon një pavijon i posaçëm për të trajtuar pacientët post-COVID.
Pasojat afatgjata
COVID-19 krijoi një grup të ri pacientësh që do të kenë nevojë për trajtim mjekësor gjatë gjithë jetës. Këta pacientë do të duhet të përballen me kosto shtesë për trajtimin e pasojave dhe gjithashtu njësitë shëndetësore që merren me trajtimin e mushkërive do të përballen me fluks të përhershëm të krijuar nga COVID-19.
Mjekët thonë se, duhet riorganizim në burime njerëzore shtesë, sidomos në shërbimin parësor, në mënyrë që administrimi i infektimeve të kryhet në një fazë më të hershme. Mbi 15% e atyre që e kanë kaluar infeksionin me prekje në shkallë të madhe të mushkërisë vuajnë nga fibrozat polmunare, një lloj i kalcifikimit të pjesëve të mushkërisë që, në disa raste, kthehen në dëme të përhershme.
Maskat, një strategji e thjeshtë parandalimi
Mjeku Malaj, me përvojë dyvjeçare në trajtimin e pacientëve me COVID -19, tha se disa masa të thjeshta që janë në dorë të njerëzve dhe nuk kanë kosto janë shumë efektive për parandalimin e përhapjes së infeksionit.
“Kishte një ndasi të prerë të rënies së infektimeve kur njerëzit rrisnin përdorimin e maskës dhe ishin më të kujdesshëm në distancimin social” tha ai.
Mjeku këshilloi që me ardhjen e vjeshtës, personat e sëmurë kronikë, moshat e vjetra, por edhe grupet e tjera të popullatës me shëndet të mirë duhet të rrisin përdorimin e maskës në ambientet e populluara dhe të shmangin grumbullimet.
Ai tha se, gjatë valëve të kaluara, personat që kanë mbajtur maskën në mënyrë të rregullt dhe që janë infektuar në mënyra të tjera, nëpërmjet kontaktit të duarve etj., kanë marrë doza më të ulëta virusi e për pasojë e kanë kaluar më lehtë. Agresiviteti i COVID-19 ka qenë edhe si pasojë e ekspozimit në një sasi të madhe virusi, shtoi ai.
Edhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, maskat janë një strategji e thjeshtë dhe efektive për reduktimin e COVID-19, sipas një skenari në të cilin një variant i ngjashëm me Omicron shfaqet afërsisht më 1 qershor 2022, i cili është materializuar tashmë. Nëse njerëzit do të përdornin maskën në mënyrë rigoroze mund të parandaloheshin në të gjithë botën rreth 433 mijë vdekje nga vala 1 qershor-30 nëntor 2022.
Pavarësisht rolit shumë të rëndësishëm të vaksinave dhe rolit të mundshëm të terapive të reja, kontributi i përdorimit të maskave në parandalimin e infeksionit dhe vdekjes nuk mund të nënvlerësohet. Kontributi i përdorimit të maskave në parandalimin e infeksionit dhe vdekjes nuk mund të nënvlerësohet, thekson studimi i OBSH-së.
Duhejt Kujdes
“Kishte një ndasi të prerë të rënies së infektimeve kur njerëzit rrisnin përdorimin e maskës dhe ishin më të kujdesshëm në distancimin social” tha mjeku Malaj. Ai këshilloi që me ardhjen e vjeshtës, personat e sëmurë kronikë, moshat e vjetra, por edhe grupet e tjera të popullatës me shëndet të mirë duhet të rrisin përdorimin e maskës në ambientet e populluara dhe të shmangin grumbullimet.
Ai tha se, gjatë valëve të kaluara, personat që kanë mbajtur maskën në mënyrë të rregullt dhe që janë infektuar në mënyra të tjera, nëpërmjet kontaktit të duarve etj., kanë marrë doza më të ulëta virusi e për pasojë e kanë kaluar më lehtë.
Pandemia COVID-19 ka lënë pa trajtim sëmundjet e tjera
Në vitin 2021 dhe tremujorin e parë të vitit 2022, volumi i punës në shërbimet e kujdesit shëndetësor ngeli i lartë, i lidhur si me menaxhimin e rasteve të dyshuara me COVID-19 (përfshi testet e shpejta) ashtu edhe me fushatën e vaksinimit.
Ndërkohë me rifillimin e programit të Check-Up në muajin shtator 2021 janë shtuar sfidat për shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor, për arsye të lidhura me shtimin e numrit të vizitave, me konkurrencën e prioriteteve shëndetësore (patologji akute dhe kronike), vuri në dukje eksperti i Shëndetit Publik, Alban Ylli.
Në një studim të posaçëm ai vërejti se, pasojat e pandemisë dhe kushtet e emergjencës, përveç shërbimeve të ‘linjës së parë’ të përballimit të pandemisë, janë ndier edhe në sistemet e tjera shëndetësore, duke përfshirë menaxhimin e sëmundjeve të tjera infektive dhe programet e kontrollit të sëmundjeve jo të transmetueshme.
Programi kombëtar i kontrollit shëndetësor bazë u ndërpre për më shumë se një vit. Gjithashtu, programet e depistimit të kancereve u ndërprenë për disa muaj dhe me gjithë rifillimin e tyre, pati një ulje prej 30-40% të treguesve të përdorimit të shërbimit.
Në Shqipëri, në vitin 2020, janë raportuar vetëm 4,534 shtrime me sëmundje infektive. Kjo shifër dëshmon një rënie prej 65% krahasuar me mesataren e pesë viteve të mëparshme, dhe është më e ulëta në gjithë dekadat e fundit.
Zoti Ylli vë në dukje se, pothuajse të gjitha kategoritë e sëmundjeve infektive shfaqin të njëjtën prirje, me përjashtim të meningjitit viral dhe disa rikeciozave.
Ndër kategoritë me incidencë të lartë, ato që janë ulur më shumë janë gastroenteritet bakteriale, bruceloza dhe variçela, përkatësisht 82%, 84% dhe 77% më pak se mesatarja 5-vjeçare. Shtrimi në spital nga erizipelat ka rënë me 67%, HIV/AIDS 63%, sepsis 55% dhe tuberkulozi 50%. Rënia më e vogël vërehet tek hepatitet dhe leishmaniozat, përkatësisht 22% dhe 35%.
Sipas një studimi të kryer nga OBSH në 2020 dhe 2021 (7), shërbimet e parandalimit dhe të trajtimit të sëmundjeve jo të trasmetueshme janë cenuar rëndë që nga fillimi i pandemisë, duke shkaktuar uljen, ose në disa raste, kufizimin e plotë të aksesit në trajtimin për hipertension, infarkt miokardi, insulte cerebrovaskulare, kancer apo diabet; për shumë persona.
Në analizën e situatës për vitin 2020, nga 163 vendet e përfshira në studim, 122 prej tyre (75%), raportuan ndërprerje apo kufizim të pjesshëm të të paktën njërit prej 8 shërbimeve për 8 sëmundje jo të transmetueshme si pasojë e masave në përgjigje të pandemisë. Rehabilitimi ishte shërbimi më i prekur.
Më shumë se gjysma e vendeve raportuan ndërprerje apo kufizim të pjesshëm të shërbimeve për hipertensionin, 49% për trajtimin e diabetit apo komplikimeve të diabetit, 42% për trajtimin e kancerit, dhe 31% për trajtimin e urgjencave kardiovaskulare. Shkalla e kufizimit të shërbimeve ishte e lidhur me nivelin e qarkullimit të COVID-19./Monitor/