“U zbulua armatim i jashtëzakonshëm”, ministri Sveçla: Operacioni vijon, policia në çdo cep të manastirit

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka mbajtur një deklaratë për mediat ku është shprehur se një tjetër zyrtar i policisë është lënduar gjatë operacionit.

Ai zbuloi se gjatë ndërhyrjes është zbuluar një sasi e jashtëzakonshme armatimi të rëndë, uniforma, logjistikë, ushqime, pajisje për barrikada, teksa shtoi se këto ishin pajisje për disa qindra sulmues të tjerë.

Sakaq, ai shtoi se policia është në çdo cep të manastirit dhe se aksioni policor në Banjskë vijon.

“Grupe të armatosura sulmuan patrullën tonë dhe vranë rreshterin Afrim Bunjaku. Po ashtu kishim edhe një zyrtar të plagosur dhe një të lënduar. Shpreh ngushëllimet më të thella familjes dhe të afërmve të viktimës. Pas kësaj përgjigja e zyrtarëve të policisë ishte e menjëhershme dhe profesionale, ku për një kohë të shkurtër vendosën territorin nën kontroll.

Kishim edhe një tjetër zyrtar lehtë të lënduar, por të tjerët falë profesionalizmit ia dolën pa lëndime e pa viktima të tjera të kryejnë operacionin. Me këtë rast kemi 6 të arrestuar, 2 nga ata të plagosur, me uniformë ushtarake. kemi të paktën 3 sulmues të vrarë. Me këtë rast policia ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshme armatimi të rëndë, uniforma, logjistikë, ushqime, pajisje për barrikada dhe lirshëm mund të themi se ishin pajisje për disa qindra sulmues të tjerë.

Policia është në çdo cep të manastirit. Aty ka një numër pelegrinësh dhe do hetohet që mos të ketë të infiltruar nga sulmuesit”, u shpreh ai.


Shtuar 24.09.2023 19:07