U dënua me 2 vite burg për korrupsion, Apeli i GJKKO-së merr vendimin për ish-avokatin e shtetit

Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me dy vite burg të ish-avokatit të shtetit, Irgen Kërçuku, i akuzuar për korrupsion.

Njoftimi i GJKKO-së

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar), dhe Daniela Shirka (anëtare), më datë 16.09.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 36 akti, datë 27.05.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit/të pandehurit I.K., kundër vendimit nr. 77, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

Deklarimin fajtor të të pandehurit K. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K.Penal (para ndryshimeve të ligjit Nr.43/2021) dhe dënimin e tij me 3 vite burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehuritK. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.
Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi, ku në përllogaritje të përfshihet edhe periudha e qëndrimit me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi” dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Në aplikim të nenit 35/1 të K.Penal të pandehurit I.K. i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim nga prokurori dhe i pandehuri në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 77, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit I.K.


Shtuar 16.09.2024 10:14