Reperi Kleviol Ahmeti, i njohur në publik si “Cllevio”, është liruar sot nga burgu, pasi ka përfunduar dënimin e tij në burgun e Fierit. 39-vjeçari kishte qëndruar në qeli që prej tetorit të vitit 2025, pas ekstradimit të tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Shqipërisë.
Ahmeti ishte dënuar për veprat penale të përndjekjes dhe thyerjes së masës së sigurisë, akuza që lidhen me një konflikt të hershëm dhe të bujshëm me reperin Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik Noizy. Përplasja mes dy artistëve ka qenë e gjatë dhe shpesh e ekspozuar publikisht, duke u zhvendosur nga jeta reale edhe në rrjetet sociale, ku nuk kanë munguar replikat dhe deklaratat e forta.
Të lidhura
None found
Sipas dosjeve hetimore dhe materialeve të bëra publike më herët, konflikti mes tyre ka përfshirë edhe episode të rënda. Dyshohet se pas një përplasjeje fizike, Ahmeti ka kërkuar nga një person i afërt i tij, Laert Haxhiu, vendosjen e lëndëve plasëse në një biznes në pronësi të Noizyt në Durrës. Shpërthimi i raportuar në atë periudhë ka shkaktuar dëme materiale në fasadën e dyqanit, duke tërhequr vëmendje të gjerë mediatike.
Ngjarja është rikthyer në fokus vitet e fundit, pasi është përfshirë si episod në një dosje të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila po heton një grup të strukturuar kriminal. Prokuroria, sipas burimeve hetimore, i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme masa të rënda për personat e përfshirë në këtë çështje.
Hetimet vijojnë, ndërsa çështja mbetet një nga konfliktet më të përfolura në botën e showbiz-it shqiptar.
