U arrestua në Turqi, Prokuroria e Shkodrës dërgon kerkesën për ekstradimin e Ibrahim Licit

Prokuroria e Shkodrës, i ka përcjellë materialet Ministrisë së Drejtësisë bashkë me kërkesën për ekstradimin e Ibrahim Licit.

Lici u arrestua javën e kaluar në Turqi, lidhur me vrasjen e Endri Mustafës, ndërsa familjarët pretenduan se i shumëkërkuari u vetëdorëzua.

Pas kësaj pritet që ministria e Drejtësisë, t’i drejtohet shtetit turk me kërkesën zyrtare të ekstradimit.

Gjykata Shkodrës, në vitin 2021, i ka caktuar Licit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë,  Endri Mustafën.

Ashtu siç ishte përfolur për vendodhjen e tij pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, Ibrahim Lici u arrestua në Turqi.

Agjentët e antikrimit në Shkodër, kishin siguruar informacion se i shumëkërkuari Lici fshihej në Turqi.

Pas kësaj, Interpol Tirana ka bashkëpunuar ngushtë me autoritetet policore të Turqisë, për kapjen e tij.

Lici u vu në pranga kur Policia turke, finalizoi operacionin policor të koduar “Jehona”.

Por menjëherë pas publikimit të lajmit, Hamza Lici,  vëllai i Ibrahim Licit deklaroi nga Turqia se ky i fundit nuk është arrestuar nga policia, por është vetëdorëzuar me qëllim për të kërkuar azil në shtetin turk, për shkak se nuk ndihet i sigurtë në Shqipëri.

Ai thotë se e nuk është e vërtetë se Ibrahim Lici, është arrestuar dhe shton se i vëllai i tij është i pafajshëm dhe nuk ka kryer asnjë vrasje.

Për vrasjen e Endri Mustafës, është dënuar me 10 vite burg, 16-vjeçari Ergys Malja, i dënuar për akuzën e ‘Vrasjes me paramendim kryer ne bashkëpunim’. Për Maljan prokuroria kërkoi 12 vite burgim për shkak të moshës së tij të mitur.