U arrestua me urdhër të SPAK, KLP pezullon kreun e Prokurorisë Vlorë, Aurel Zarka

Ditën e sotme, KLP ka pezulluar nga detyra kreun e Prokurorisë Vlorë, Aurel Zarka, i cili u arrestua me urdhër të SPAK.

Prokuroria e Posaçme, informoi se ndaj kreut të Prokurorisë së Vlorës, është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim (iii)“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Aurel Zarka, është arrestuar ndërsa tre personat për të cilët është lëshuar masa e sigurisë “arrest me burg”, ish-oficerja e policisë gjyqësore Erjona Dautaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi (kushëri i Elvis Vladit, i dënuar për 3.4 mln euro të gjetura në makinën Toyota Yaris) janë shpallur në kërkim.

Sipas SPAK, nga hetimet paraprake të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se personat nën hetim Aurel Zarka, Erjona Dautaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë.

Gjithashtu, kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre


Shtuar 31.07.2024 12:55