Turqia ka paraqitur një kërkesë në Pentagon për të blerë 40 avionë luftarakë Lockheed Martin F-16 dhe modernizimin e rreth 80 avionëve luftarakë që tashmë ka.
Kërkesa vjen në një kohë kur Ankaraja po përpiqet të modernizojë forcën e saj ajrore, pas “dëbimit” nga programi F-35, raporton albeu.com.
Marrëveshja shumë miliardë dollarëshe, sipas televizionit SKAI, është duke u përpunuar dhe duhet të miratohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Kongresi, i cili mund ta bllokojë atë.
Pala amerikane nuk ka konfirmuar apo komentuar shitjet e pajisjeve, deri në njoftimin zyrtar të Kongresit, ndërsa ambasada turke në Uashington refuzoi të komentojë mbi këtë çështje.
Turqia kishte porositur më shumë se 100 avionë Lockheed Martin F-35 . Sidoqoftë, ajo u tërhoq nga programi në vitin 2019, pas blerjes së sistemeve ruse anti-raketore S-400, raporton alebu.com.
Marrëdhëniet e NATO -s me Turqinë janë tendosur vitet e fundit për shkak të dallimeve politike në Siri, lidhjeve të ngushta të Ankarasë me Moskën, ambicieve detare në Mesdheun lindor dhe çështjeve të të drejtave dhe lirive.
Kërkesa për të blerë F-16 nuk pritet të miratohet lehtë nga Kongresi, ku ka pakënaqësi të forta me Ankaranë, kryesisht për shkak të S-400 dhe problemeve me të drejtat e njeriut, dhe janë vendosur sanksione./albeu.com