Bjorgi Hoxha, 19-vjeç, Armand Tomorrica, 32-vjeç dhe Renaldo Mance, 31-vjeç, janë larguar nga spitali vetëm dy orë pasi morën ndihmë mjekësore. Tre të rinjtë u plagosën me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në një lokal në lagjen “Vullnetari” (Banesat), në qytetin e Elbasanit.
Sipas burimeve spitalore, dëmtimet nuk u rrezikojnë jetën, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe të tre janë kthyer në banesat përkatëse.
Të lidhura
None found
Të dhënat paraprake tregojnë se njëri prej tyre ka pësuar një plagë të lehtë në shpatull, i dyti është qëlluar në këmbë, kurse i treti ka marrë vetëm një gërvishtje nga plumbi.
Ekspertët e Policisë Shkencore kanë sekuestruar në vendngjarje 6 gëzhoja, të cilat do të analizohen përmes ekspertizës balistike, me synim përcaktimin e armës së përdorur.
Në çastin kur u qëllua me armë, brenda lokalit ndodhej edhe një oficer policie jashtë shërbimit. Pasi dëgjoi të shtënat, ai doli menjëherë nga ambienti dhe nisi të ndiqte autorin.
Teksa largohej, autori hodhi armën e zjarrit, e cila u gjet dhe u mor nga policia si provë materiale. Megjithatë, ai arriti të futej më në thellësi të lagjes dhe t’u humbte gjurmët forcave që po e ndiqnin.
Për zbardhjen e motivit dhe përcaktimin e plotë të dinamikës, hetuesit po verifikojnë disa pista. Grupi hetimor ka sekuestruar regjistrimet e kamerave të sigurisë në lokal dhe në bizneset pranë tij.
Gjithashtu, tre të plagosurit janë marrë në pyetje për të rindërtuar me hollësi momentet e sulmit dhe për të bërë të mundur identifikimin e autorit.
Pas të shtënave, në zonë mbërritën forca të shumta policore, të cilat vendosën perimetrin e sigurisë dhe kryen kontrolle intensive në një hapësirë të gjerë.
Operacioni për gjetjen dhe arrestimin e autorit vazhdon. Nën drejtimin e Prokurorisë, po zhvillohen veprimet procedurale dhe ekspertizat e domosdoshme për dokumentimin e rastit, sqarimin e të gjitha rrethanave të sulmit dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë penale.
