Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.8, ka goditur bregun juglindor të ishullit japonez Kyushu, duke shkaktuar lëkundje të forta që janë ndjerë në shumë zona, përfshirë qytetet Osaka dhe Hiroshima.
Tërmeti u regjistrua në orën 21:19 me orën lokale, me epiqendrën e tij në një thellësi prej 30 kilometrash nën ujë.
Lëkundjet e forta pas tërmetit u ndien gjithashtu në ishujt Kyushu dhe Shikoku. Si masë paraprake, është lëshuar një paralajmërim për cunami me valë deri në një metër për bregun lindor të Kyushus dhe bregun jugor të Shikokut.
Po ashtu, një paralajmërim për valët e baticës, deri në 20 cm, është shpallur për disa ishuj të tjerë, përfshirë Amami, Tokara, Tanegashima, Yakushima dhe disa zona të Honshu.
Për momentin, autoritetet po monitorojnë situatën dhe mund të lëshojnë më shumë udhëzime ose paralajmërime nëse ndodhin zhvillime të mëtejshme.