Këtë të enjte, një person është shfaqur me thikë në zonën e Currilave në l.nr 1 Durrës. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e gatshme të komisariatit të Durrësit, të cilët kanë tentuar ta kapin dhe ta çarmatosin.
Në këte tentative, një polic ka mbetur i dëmtuar lehtë në një kohë që personi me thikë është arrestuar.
Kanë qenë qytetarët ata që i kanë telefonuar policisë.
Efektivët e policisë kanë tentuar të negociojnë me të, pasi ishin njoftuar nga dëshmitarët në vendngjarje se ishte i dhunshëm.
Sipas informacioneve paraprake, efektivi i është afruar ndërsa personi ka nxjerrë thikën nga çanta që mbante me vete dhe është larguar me vrap.
Policët e kanë ndjekur për disa metra me vrap dhe në momentin kur agresori është futur në një rrugicë qorre, në afërsi të një lavazhi kanë tentuar ta neutralizojnë.
Agresori ka sulmuar me thikë efektivin e policisë duke e plagosur.
Mësohet se efektivi i policisë është shoqëruar nga kolegët në Spitalin Rajonal, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Deri më tani nuk dihet as identiteti i policit të plagosur, as ai i agresorit.
Pritet që Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, të dalë me një njoftim për shtyp për ngjarjen.