Seanca e sotme në Kuvend po karakterizohet nga një klimë e ashpër konfrontimi, teksa në qendër të përplasjeve mbetet rasti i bujshëm që ka implikuar ish-drejtuesen e SHISH-it, Vlora Hyseni.
Ajo po hetohet nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, nën dyshimet se ka trajtuar në mënyrë të njëanshme dhe ka lehtësuar largimin e biznesmenit Ergys Agasi.
Të lidhura
None found
Ky i fundit lidhet drejtpërdrejt me dosjen hetimore të AKSHI-t, për të cilën pretendohet se ka manipuluar procedurat e prokurimeve dhe ka ushtruar presion mbi sipërmarrës të tjerë, duke i detyruar ata të hiqnin dorë nga pjesëmarrja në gara.
Pasi i mbaroi koha e lejuar e fjalës prej 2 minutash, deputeti demokrat Flamur Noka nuk u tërhoq nga podiumi, duke shpërfillur thirrjet e vazhdueshme të kreut të Kuvendit, Peleshi.
Në momentin që kryeparlamentari njoftoi se do t’i jepej fjala ministres Ismailaj, Noka vijoi të mbante të zënë foltoren, ç`ka solli si pasojë ndërprerjen e menjëhershme të seancës.
Peleshi deklaroi një pushim 5-minutësh, ndërkohë që salla përshkohej nga thirrjet e opozitës për dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe nga zhurma e goditjeve mbi tavolina.
