Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë apel Bashkimit Evropian që t’i njohë Kosovës pa vonesa statusin e shtetit kandidat për anëtarësim.
Të mërkurën, në Nju Jork, Kurti mori pjesë në një drekë të organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, e cila njëkohësisht mban postin e Zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian, Kaja Kallas. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe udhëheqësit e tjerë të Ballkanit Perëndimor.
Të lidhura
None found
Sipas tij, marrja e statusit të kandidatit do të ishte përgjigjja e BE-së ndaj “besnikërisë së Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe përcaktimit të qartë strategjik euroatlantik”, si dhe një stimul për reforma dhe zhvillim të mëtejshëm.
Kurti ka kritikuar ashpër faktin që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, i paraqitur në dhjetor 2022 në Pragë, vijon të mbetet pa një përgjigje zyrtare.
“Mbajtja në sirtar e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, përderisa jemi tërësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe kemi shënuar përparim të rëndësishëm në pothuaj tërë fushat, përveçse padrejtësi ndaj Republikës së Kosovës, do të ishte inkurajim i akterëve destabilizues rajonalë dhe më gjerë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se Kosova “nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng” i Serbisë, të cilën e akuzoi se mbron dhe lavdëron persona të dënuar për krime lufte dhe gjenocid.
Kurti ka kritikuar gjithashtu qëndrimin e Serbisë ndaj krimeve të luftës dhe personave të zhdukur, duke deklaruar se Beogradi “mohon e fsheh krimet dhe refuzon të bashkëpunojë në zbardhjen e të vërtetës për të zhdukurit me dhunë”.
Po ashtu, Kurti e akuzoi Serbinë se po vazhdon shkeljet e të drejtave dhe spastrimin etnik administrativ ndaj shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.
