“Të mos bëjë kompromis”, Meta tregon kushtin e vetëm për të bashkëpunuar me Sali Berishën

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur për raportet me Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha.

Meta tha në një konferencë për gazetarët se opozita duhet të organizohet mirë, teksa theksoi se PL po shkon drejt një rithemelimi.

“Vetë Rithemelimi i Partisë së Lirisë që do të ndodhë në konventën e ditës së shtunë është një reflektim për të përmirësuar të gjitha gabimet e deritanishme të funksionimit të vetë Partisë së Lirisë. Nëse ne ngremë shqetësimin se opozita ka pasur dobësi të theksuara në organizimin e saj, edhe për shkak të regjimit. Ne asnjëherë nuk e kemi përjashtuar veten tonë nga përgjegjësitë që kemi ne. Ne nuk duhet të ndalojmë asnjë sekondë përmirësimin e organizimit tonë në mënyrë që ta shembim këtë regjim të kalbur sa më parë.

Nuk ka vlerë të kesh një program të mirë, një ide, një vizion të mirë nëse nuk ke organizimin e duhru dhe perfekt por të ekzekutuar këtë ide dhe ne po shkojmë drejt Rithemelimit të një partie që ka 5 prioritete shumë të qarta që i shërbejnë gjithë shqiptarëve, gjithë vendit”, tha Meta.

Ai tregoi edhe kushtin e vetëm për të bashkëpunuar sërish me Sali Berishën.

“Kushti i vetëm që Berisha të mos bëjë kompromis me parimet e tij dhe regjimin e Ramës. E përshendes doktorin për qëndrimin e tij..besoj se ndryshimi do jetë shumë i fortë”, tha Meta.


Shtuar 25.04.2024 12:18