Tani ose kurrë? Pesë arsyet pse Putin synon të nisë brenda këtij muaji kundërsulmin e tij të ri ndaj Ukrainës

Nga Anna Akage “World Crunch

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në fillim të këtij muaji po zhvillohen beteja të ashpra si në rajonin Luhansk po ashtu edhe në Donetsk të Ukrainës Lindore. Në aksion janë përfshirë njësi elitare të ushtrisë ruse dhe luftëtarë të grupit mercenar Vagner.

Më shumë trupa dhe pajisje ruse nga të gjitha anët po vendosen drejt një vije fronti të zgjeruar. Të gjitha lëvizjet mbikëqyren nga gjenerali rus Valery Gerasimov, një veteran i ushtrisë ruse, i cili tani komandon si ushtrinë e rregullt po ashtu edhe mercenarët e Vagner. Gerasimov e mori këtë detyrë muajin e kaluar, i emëruar nga presidenti Vladimir Putin,

që me sa duket ishte i pakënaqur me 3 komandantët e mëparshëm të luftës. Të marra së bashku, këto dhe shenja të tjera që janë vënë re javën e kaluar duket se tregojnë se Rusia po nis një ofensivë të re të madhe ndaj Ukrainës.

Moska e ka forcuar arsenalin e saj të raketave në Detin e Zi. Ndërkohë në rajonin e Luhansk, rusët vazhdojnë të ndërmarrin aksione sulmuese në drejtimet Lyman dhe Bakhmut. Disa raporte thonë se sulmi do të jetë në gjerësi dhe intensitet me pushtimin fillestar të shkurtit të vitit të kaluar.

Nëse konfirmohet, ky sulm i afërt rus do të ishte një përshpejtim i rëndësishëm në kalendarin e fushëbetejës, pasi shumica e analistëve kishin pritur që Putin ta niste sulmin në pranverë. Por pse Moska ka ndryshuar mendje? Çfarë pret Putin nga ky sulm? Dhe çfarë ndodh këtë herë nëse gjërat përsëri nuk shkojnë siç është planifikuar? Ja cila janë 5 arsyet për sulmin e përshpejtuar të Rusisë ndaj Ukrainës.

Vijat e kuqe, të dhënat e arta

24 shkurti do të shënojë saktësisht një vit nga fillimi i luftës, dhe Vladimir Putin është i fiksuar pas datave të mëdha historike. Shënimi i përvjetorëve ka zënë një vend qendror në stilin e tij të propagandës dhe udhëheqjes, pasi gjatë tyre ai ka qenë në gjendje të tregojë sukseset dhe të ndryshojë historinë për të nxjerrë pasur një kauzë për të tashmen dhe të ardhmen.

E megjithatë në këtë rast, lufta e nisur në shkurtin e vitit të kaluar ka zgjatur shumë më gjatë se sa e kishte planifikuar Putin, dhe ende pa ndonjë fitore të rëndësishme për t’u marrë në konsideratë. Prandaj, është e rëndësishme që kur të mbërrijë përvjetori i 24 shkurtit, vrulli në fushën e betejës të jetë në anën e Rusisë.

Pavarësisht regjimit autoritar që ka ndërtuar në Rusi 2 dekadat e fundit, ai varet ende nga mbështetja e popullit. Pas një viti lufte që ka kushtuar shumë jetë njerëzish dhe para, “këneta” e dimrit nuk është mesazhi që ai dëshiron t’u përçojë rusëve.

Vetëm disa ditë para këtij përvjetorit, presidenti rus duhet të mbajë fjalimin e tij vjetor në Asamblenë Federale, të cilën ai e anuloi vitin e kaluar ndërsa po niste pushtimin. Por këtë vit, anulimi nuk duket si një opsion.

Shanset që sheh Gerasimov tek ky kundërsulm

Gerasimov, një ushtarak i mbështetur prej kohësh nga Ministri aktual i Mbrojtjes Sergei Shoigu, u emërua më 11 janar si komandanti kryesor i forcave ruse në Ukrainë, duke zënë vendin e gjeneralit Sergey Surovikin, që e mbajti këtë post për vetëm disa muaj.

Që nga vendosja e Gerasimov në krye të fushatës ushtarake, rusët kanë vazhduar jo vetëm sulmet e rregullta me raketa dhe dron, por një sulm të madh tokësor që ka nisur në Ukrainën lindore, me qytetet e vogla të Bakhmut dhe Soledar etj. që janë mbajtur nën kontroll me kosto të mëdha.

Po ashtu nën drejtimin e Gerasimov, kanë ndryshuar taktikat e sulmeve ndaj objekteve energjetike. Gjithsesi pavarësisht ndërprerjeve që kanë shkaktuar ato, Ukraina nuk ka ngrirë dhe refugjatët nuk e kanë pushtuar Evropën siç shpresonte Putin.

Prandaj tani raketat po drejtohen mbi godinat e banimit duke shkaktuar panik dhe urrejtje. Por Gerasimov ka nevojë për fitore të rëndësishme në luftën tokësore për t’ia raportuar dy shefave të tij, Shoigu dhe Putin, dhe ato duhet të ndodhin shpejti, ndoshta jo më vonë se sa fundi i këtij muaji.

Në lojë është fati i Prigozhin

Yevgeny Prigozhin, themeluesi dhe drejtues i ushtrisë së mercenarëve Wagner PMC, ishte shfaqur deri vonë si i paprekshëm. Ai kishte një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Putinin, i cili ishte i lumtur të kundervinte mercenarët privatë ndaj ushtrisë zyrtare dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Por pozitat e Prigozhin janë lëkundur ndjeshëm javët e fundit, pas akuzave të ashpra publike mbi të kaluarën e tij nga Igor Girkin, një ish-komandant i separatistëve dhe mercenarëve në Donbas. Për më tepër trupat e Wagner, të cilat përfshijnë shumë të burgosur, kanë qenë po aq zhgënjyese në vijën e frontit sa edhe njësitë tradicionale të ushtrisë ruse.

“Prigozhin është aktualisht nën një vëzhgim dhe vëmendje të madhe”,- thotë gazetari i pavarur rus Michael Naki. “Ministria e Mbrojtjes do të shfrytëzojë çdo lloj dobësie për të mënjanuar grupin Wagner nga fusha e betejës dhe për t’ia hequr Prigozhin të gjitha privilegjet që ai përfitoi përgjatë disa muajve të angazhimit të tij në luftë”- thekson ai.

Nëse do të shohim vazhdimin e strategjisë së “dy ushtrive” apo dominimin përfundimtar të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Gerasimov, apo Prigozhin dhe grupit Vagner, kjo do të duhet të ndodhë sa më shpejt dhe jo shumë vonë.

Armët e reja të Ukrainës

Rusia po synon që ta zhvendosë ushtrinë ukrainase në një distancë të sigurt nga vetja… Kështu deklaroi së fundmi Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov në një intervistë që dha për televizionin “Russia 24”. “Sa më shumë armë me rreze të gjatë t’i dërgohen si ndihmë  Kievit, aq më shumë do të jetë e nevojshme që trupat ukrainase të zhvendosen larg territoreve që janë pjesë e Rusisë”- tha ai.

Është e vërtete që javët e fundit Perëndimi ka dhënë dritën jeshile për dërgimin në Ukrainë të një sërë armatimesh të reja që kanë vërtetë një kalibër dhe rreze goditëse më të gjatë. Kievi do të pajiset me tanke luftarake të ndërtuara gjermane dhe amerikane, 1300 automjete të blinduara.

Ndërkohë paketa e re e ndihmës ushtarake amerikane do të përfshijë edhe bombat GLSDB, predha tejet të sakta, të cilat mund ta ndryshojnë situatën në vijën e frontit, rrezja e sulmit nuk do të jetë 80 kilometra por 150 km.

Prandaj do të jenë të rrezikuara bazat dhe magazinat ushtarake ruse, por edhe postet e komandës dhe objektivat më të lëvizshëm në jug. Kjo gjë do të vërë në rrezik edhe kontrolli e Krimesë nga rusët. Megjithatë, ky armatim do disa kohë që të mbërrijë, dhe në disa raste trupat ukrainase do të kenë nevojë për një trajnim të veçantë për t’i përdorur këto armatime. Dhe ky fakt e detyron Rusinë të sulmojë sa më shpejt.

Morali i trupave ruse

Paralelisht me luftëtarët e Grupit Vagner, ushtria ruse ka hedhur në luftës elitën e saj ushtarake që në ditët e para të luftës. Ajo ka përdorur marinsat dhe parashutistët në rolin e këmbësorisë sulmuese, dhe ky është një shpenzim i shpejtë dhe shumë i kushtueshëm duke përdorur ushtarët më të trajnuar në ushtri.

Moska mund të shpallë shumë shpejt një mobilizim të ri kombëtar. Media e pavarur ruse Vazhnyye Istorii (Tregime të rëndësishme), raporton se deri në shtatorin e vitit të kaluar, 40-50 për qind e këtij personeli elitë u eliminuan në fushën e betejës.

Komandanti i parashutistëve, Mikhail Teplinsky, i cili ishte kundër idesë për të hedhur sërish në betejë pjesën tjetër të atyre që kishin mbetur, u shkarkua. Dhe kjo nënkupton ekzistencën e një përçarje tjetër të fortë brenda Ministrisë rusë të Mbrojtjes.

Për të ndjekur qëllimet e Vladimir Putinit, komanda ushtarake dërgoi në Donetsk forcat speciale, për të shuar një kryengritje të rrezikshme që kishte nisur midis trupave ruse të pakënaqura nga eprorët, raporton Ukrainska Pravda duke cituar kolonelin ukrainas Oleksiy Dmitrashkivsky.

“Rusia vendosi një forcë speciale të reagimit të shpejtë, për t’u marrë posaçërisht me gjendjen e rënduar morale dhe psikologjike të trupave, tha Dmitrashkivsky. Është e vërtetë që Rusia po dërgon më shumë njësi në Ukrainën Lindore, dhe shumë shpejt mund të shpallë një mobilizim tjetër kombëtar. Por çështja e moralit të dobët të trupave ruse, është një arsye më shumë pse Putini mund të ketë vendosur të përshpejtojë sulmin e ri në Ukrainë, duke mos pritur ardhjen e pranverës. /Albeu.com

 

 


Shtuar 7.02.2023 12:50