Talebanët zbulojnë rregullat e reja në Afganistan, ndalojnë gratë në dramat televizive

Gratë janë ndaluar të shfaqen në drama televizive në Afganistan sipas rregullave të reja të vendosura nga qeveria talebane.

Gazetaret dhe prezantueset janë urdhëruar gjithashtu të mbajnë shami në ekran, megjithëse udhëzimet nuk thonë se çfarë lloj mbulimi duhet të përdorin.

Gazetarët thonë se disa nga rregullat janë të paqarta dhe i nënshtrohen interpretimit.

Kujtojmë se, talebanët morën pushtetin në Afganistan në mes të gushtit dhe shumë kanë frikë se po vendosin gradualisht kufizime të ashpra.

Grupi militant islamik, i cili mori kontrollin pas largimit të forcave të SHBA-së dhe aleatëve, thuajse menjëherë udhëzoi vajzat dhe gratë e reja që të shkëputeshin nga shkolla dhe të qëndronin në shtëpi. Talebanët pretendojnë se kufizimet e tyre për gratë që punojnë dhe vajzat që studiojnë janë “të përkohshme” dhe janë vetëm në fuqi për të siguruar që të gjitha vendet e punës dhe mjediset mësimore të jenë “të sigurta” për to./albeu.com


Shtuar 22.11.2021 08:24