Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kritikoi përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale mënyrën e organizimit dhe funksionimit të kompanisë shtetërore KAYO. Sipas saj, kjo kompani është pjesë e një skeme më të gjerë korrupsioni, e cila ka nisur me inceneratorët, Korporatën e Investimeve, rrugët dhe AKSHI-n.
Tabaku tha se modeli i ndjekur nga qeveria ka sjellë kapjen e shtetit dhe ka krijuar struktura të izoluara, që dëmtojnë konkurrencën në ekonomi dhe funksionimin e demokracisë. Ajo theksoi se këto kompani janë jashtë kontrollit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por funksionojnë nën kontrollin e kryeministrit; nuk marrin pjesë në një garë të lirë ekonomike, por janë pjesë e tarafit qeveritar.
Të lidhura
None found
Deputetja deklaroi se KAYO ka ngritur katër kompani, të cilat, sipas saj, nuk i nënshtrohen kontrollit dhe auditimit të zakonshëm shtetëror dhe japin llogari vetëm te kryeministri. Tabaku i përshkroi ato si “ishuj paligjshmërie” dhe hapësira të mbyllura ku mungon transparenca mbi përdorimin e fondeve publike.
“KAYO është kumbara e fundit e kësaj qeverie”, u shpreh Tabaku, duke shtuar se këto struktura marrin çdo muaj miliona euro nga buxheti, ndërsa qytetarët nuk informohen se si përdoren fondet dhe ku përfundojnë ato. Ajo i lidhi këto zhvillime me rastet e inceneratorëve, AKSHI-t dhe sektorit të shëndetësisë.
Sipas saj, mungesa e prokurimeve, eliminimi i konkurrencës dhe kapja e shtetit përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për ekonominë dhe demokracinë. Tabaku paralajmëroi se pas KAYO-s, i njëjti model mund të shtrihet në shëndetësi. “Ta harrojmë se mund të kemi demokraci funksionale kur nuk kemi ekonomi të lirë”, përfundoi deputetja e PD-së.
