Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se po ndjek një politikë fiskale në favor të kompanisë KAYO, ndërkohë që fermerët dhe blegtorët vazhdojnë të përballen me një barrë të rëndë tatimore.
Në reagimin e saj publik, Tabaku iu referua një nisme të ndërmarrë nga qeveria pak javë më parë, përmes së cilës në kategorinë e makinerive të përjashtuara nga TVSH-ja synohen të përfshihen edhe pajisjet që përdoren ose pritet të përdoren nga KAYO.
Të lidhura
None found
Sipas deputetes demokrate, ky rast tregon mënyrën se si funksionojnë “ligjet me porosi” dhe ajo që e cilëson si “shtet personal”. Ajo tha se, megjithëse për këtë fenomen është diskutuar gjatë, ka ende qytetarë që pyesin se si mund të identifikohet në praktikë një politikë e tillë.
Tabaku deklaroi se prej më shumë se një mandati fermerët dhe blegtorët kërkojnë uljen apo lehtësimin e TVSH-së në bujqësi, por kërkesat e tyre janë hedhur poshtë nga ministrat përgjegjës për sektorin në çdo diskutim të zhvilluar në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.
Ajo nënvizoi se bujqësia zë rreth 15% të PBB-së, siguron punësim për një pjesë të madhe të shqiptarëve dhe aktualisht po kalon një nga rëniet më të forta në ekonominë e vendit.
Në vlerësimin e Tabakut, ndërsa për bujqit nuk ofrohet asnjë rrugëzgjidhje, për kompanitë pranë oborrit qeveritar miratohen me shpejtësi përjashtime fiskale, statusi i investitorit strategjik dhe dhënia e tokës publike.
Deputetja solli në vëmendje edhe politikat e vendeve të rajonit, të cilat zbatojnë norma më të ulëta për produktet bazë të shportës ushqimore. Sipas saj, këto masa i bëjnë prodhuesit e rajonit më konkurrues, ndërsa qeveria socialiste në Shqipëri vijon t’i ngarkojë fermerët me TVSH, të dobësojë produktet “Made in Albania” dhe të nxisë informalitetin.
Në përfundim, Tabaku e përshkroi këtë model si një qeverisje që mbështet një pakicë të privilegjuar dhe vepron kundër shumicës së lënë pas dore. Sipas saj, kjo është pamja konkrete e “shtetit personal” dhe e “sistemit socialist”.
