Sulmet në veri, Haradinaj thirrje BE: Ndërhyni, mos bini pre e provokimeve serbe

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kërkon nga Brukseli që të ndërhyjë në konfliktin që sapo po fillon në veri, para se të jetë shumë vonë.

Haradinaj e quan të papranueshme situatën në veri të Kosovës dhe bën thirrje që BE të mos bjerë pre e provokimeve serbe.

Për Haradinajn provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë.

“Pavarësisht se si janë zhvilluar gjërat, se si është marrë vendimi për targat, ajo që po ndodh në veri të vendit është e papranueshme.

E mbështes fuqishëm Policinë e Kosovës dhe institucionet e vendit të cilat janë vënë në mbrojtje të rendit dhe të ligjit.

Provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë, e Prishtina, duke mos rënë pre e këtyre provokimeve, duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj.

Njëkohësisht kërkoj nga Brukseli që të ndërhyjë te Beogradi zyrtar dhe të kërkojë prej tij që të mos e provokojë situatën në veri por t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara” shkruan Haradinaj./albeu.com


Shtuar 25.09.2021 17:47