Nga Enkeleda Bodini
Të gjithë keni dëgjuar për Fiona Rushitin, akrobaten nga Tirana e cila performon në qiell të hapur. Në një intervistë për abcnews.al, Fiona ka rrëfyer rrugëtimin e saj në akrobatësi dhe ka ndarë me emocionet që përjeton ndërsa performon qindra metra mbi tokë.
Fiona e ka zbuluar talentin në akrobatësi që në moshën tre vjeçare dhe tashmë ajo është një profesioniste e vërtetë. E stërvitur mirë në cirk, ajo ka marrë guximin të dalë dhe të dhurojë spektakël nga qielli. Për më tepër, masat e sigurisë janë minimale, pasi Fiona zgjedh ta sfidojë veten dhe emocionet që ajo merr e tejkalojnë frikën.
Së fundmi ajo ka realizuar një performancë të jashtëzakonshme në Kosovë, për 22-vjetorin e Çlirimit, nën moton “Të fluturosh drejt lirisë”. E veshur me fustan të bardhë të përgjakur dhe më pas me uniformën e UÇK-së, Fiona ka përcjellur mesazhin se gjatë viteve të luftës, shqiptarët e Kosovës e gjetën forcën për t’u ringritur, në dhimbje.
Përsa u përket planeve përgjatë verës, Fiona ka treguar se performancën e radhës do ta ketë në Maqedoninë e Veriut dhe se për këtë është shumë e emocionuar. Gjithashtu ka treguar se sezoni veror do të jetë i mbushur me aventura dhe sfida. Për të parë intervistën e plotë, klikoni në linkun më poshtë./abcnews.al