SPAK shkakton “tërmet” në familjen Berisha, a do t’i hiqet mandati ish-kryeministrit?

Me urdhër të GJKKO janë arrestuar mbrëmjen e sotme Jamarbër Malltezi (dhëndri i Sali Berishës) dhe ortaku i tij në kompaninë e ndërtimit, ndërsa është dhënë masa detyrim paraqitje për ish-kryeministrin Berisha, si dhe i është hequr pasaporta me qëllim për të mos e lejuar të kalojë kufirin.

Siç raporti më herët AlbEu.com, arrestimi i Malltezit është bërë sapo ky i fundit ka zbritur në Rinas, pasi po ktheje nga Gjermania.

Pas vendimit për masën e dhënë ndaj ish-kryeministrit Berisha, pyetja që po ngrihet është se çfarë do të ndodhë me mandatin e tij të deputetit.

Konstitucionalistët e kontaktuar nga AlbEu.com, theksojnë se në fazën në të cilën ndodhemi mandati i deputetit i Sali Berishës nuk preket, do t’i hiqet vetëm nëse ndaj tij në ditët në vijim do të ketë kërkesë për arrestim.

Kujtojmë që ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar një konferencë urgjente mbrëmjen e sotme, ku do të japë sqarimet e tij mbi kërkesën e bërë nga drejtësia.

Padia në SPAK për këtë dosje është dërguar nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla në kohën kur ishte kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Konkretisht, bëhet fjalë për një pronë me rreth 10 000 m2, në qendër të Tiranës, e cila në vitin 2008 është privatizuar me një vlerë prej 100 000 dollarë.

Klubi sportiv “Partizani” ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa sot mbi të  janë ngritur 17 kulla.

Në ora 21:00, Kryetari i PD, Sali Berisha zhvillon konferencë me media në sallën “Azem Hajdari”.


Shtuar 21.10.2023 20:28