“Sozia e Mihalit”: Ikën nga hoteli të pakënaqur nga kushtet, pronari i zë rrugën çiftit (VIDEO)

Një tjetër histori si ajo e Mihalit në Jug të vendit. Një çift pushuesish, kësaj here shqiptarë me një vajzë të vogël kanë shkuar për të kaluar disa ditë në bregdetin e Livadhës, por fundi i tyre nuk ka qenë aspak i qetë.

Gazetari Enrik Mehmeti raportoi se çifti kishte prenotuar për tre ditë hotelin, të premte, të shtunë dhe të diel, por pak ditë më parë kanë kërkuar nëse ishte e mundur të shkonin që të enjten dhe nga ana e hotelit i është dhënë përgjigje pozitive.

Ndërsa qëndrojnë për dy ditë, çifti i pakënaqur nga kushtet tenton të largohet të shtunën, duke kryer pagesën për ditët e qëndrimit, por pronarja nuk i lejon duke i kujtuar se kishin prenotuar deri të dielën dhe duke i kërkuar pagesën.

Në videon e siguruar nga gazetari Mehmeti shihet se gruaja shumë e irrituar, pasi sheh se po filmohet akuzon pushuesit se i kanë bërë dëm dhe i kanë djegur çarçafët duke i kërkuar paratë, teksa i ka dalë në rrugën kryesore në Himarë për t’i penguar të largohen.

Nga ana tjetër pushuesit kërkojnë të denoncojnë në polici, e cila nuk ka ardhur për disa minuta me gjithë konfliktin që vazhdonte. Gruaja thërret në ndihmë dhe një person tjetër, ndërsa çifti kërkon të denoncojë në polici për kërcënimet dhe ndalohet dy herë nga biznesmenia. Si përfundim denoncimi është bërë në policinë e Sarandës. Në video dëgjohet dhe e qara e vajzës së vogël që duket shumë e shqetësuar për atë që po ndodh.


Shtuar 22.06.2021 14:17