“Skema që përdorën”, Karamuço zbulon rolin e dy kolumbianëve në laboratorin e “miellit” në Fier

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri të ditur sot se sasia e kokainës e cila ishte përzier në 24 tonë pleh kimik, i sekuestruar gjatë një operacioni të zhvilluar mbrëmë, mund të arrijë në 430 kilogramë. Vlera e saj në treg, sipas prokurorëve shkon në 40 milion euro.

Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço zbuloi detaje të reja lidhur me këtë operacion duke theksuar se dy kolumbianët, njëri i arrestuar dhe njëri në kërkim, kishin rolin e kimistëve të cilët do të shkriftonin drogën.

“Kishte dy kimist të ardhur nga Kolumbia, pasi do të shkriftonin kokainën dhe do ndanin plehun kimik.”

“473 kg kokainë e përzier me pleh kimik, se nuk kalon në skaner. Kemi rolin e dy kimistëve, një i arrestuar dhe një i larguar dhe është në kërkim. Kimistët shtohen se kanë njohur për kokainën. Kjo tregon që krimi i organizuar po mendon për mënyra të sofistikuara për të kaluar mallin. Ka dyshime se në portin e Durrësit ka materiale që nuk kontrollohen me skanerin. Ka pasur sinjale se eksponentë të ndryshëm mund të jenë përfshirë për transportin e këtyre lëndëve” tha Karamuço.

Hetimet janë realizuar mes autoriteteve shqiptare dhe malazeze, si dhe në bashkëpunim me agjenci të huaja ligjzbatuese, dhe kishin nisur në korrik të këtij viti.
Policia malazeze tha të premten se ky aksion në Mal të Zi u krye me kodin “Port”, ndërsa në Shqipëri me kodin “Konsistenca”.

Kreu i SPAK-ut, Arben Kraja dhe prokurori i rastit, Adnan Gjoli, thanë se janë kryer 14 kontrolle në disa qytete si Fier, Lushnje, Tiranë dhe janë arrestuar dhjetë persona, ndërsa një tjetër është ende në kërkim.

Policia e Malit të Zi, ka publikuar në Twitter në video, ku në bashkëpunim me Policinë e Shqipërisë, sekuestron 430 kilogramë kokainë.

Sasia prej 24 tonësh pleh organik artificial ka hyrë në territorin shqiptar me kamion, është bërë zhdoganimi dhe është shpërndarë në disa zona në Shqipëri, mes së cilave edhe në Farkë të Madhe në Fier.

Grupi i strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë edhe shtetas të huaj, kanë siguruar kokainën në Kolumbi, kanë bërë përzierjen me pleh organik artificial dhe kanë realizuar transportin në Shqipëri.
Prokurorët thanë se kanë identifikuar organizatorët, financuesit dhe transportuesit e lëndës narkotike.

Ata thanë se i kanë të dokumentuara pagesat që janë bërë për të gjithë këta persona, përfshirë edhe ata që kanë marrë në dorëzim kokainën, ata që do të kujdeseshin për magazinimin dhe ekstraktimin e kokainës nga plehu organik artificial, persona të specializuar për këtë proces në laborator.

Në këtë aksion, po ashtu janë sekuestruar më shumë se 15 mijë euro, bashkë me 6 armë zjarri, automatikë dhe pistoleta. Ky operacion po vazhdon ende.
Prokuroria nuk publikoi emrat e të arrestuarve, por burime nga policia konfirmojnë se mes të arrestuarve është edhe Viktor Çervanaku, i cili aktualisht mban post drejtori në OSHEE (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Fier), ndërsa më herët ka qenë kryetar i Komunës Frakull në Fier.

Laboratori ku po përpunohej kokaina u zbulua në banesën e tij. Kompania që ka porositur plehun organik artificial në Kolumbi është në pronësi të vëllait të Viktor Çervanakut, Zenelit, gjithashtu i arrestuar.

Ky është rasti i dytë që zbulohet një laborator kokaine në Shqipëri.

Në vitin 2015 një i tillë u zbulua në Xibrakë të Elbasanit, ku u arrestuan edhe dy shtetas kolumbianë, kimistë që nxirrnin sasitë e kokainës së përzier në lëndë kimike të lëngshme, të importuara nga Kolumbia./abcnews.al/


Shtuar 25.11.2022 19:55